Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të premten në Kamenicë se me këtë përkrahje qytetare fitorja në Kamenicë dhe në shumicën e komunave të Kosovës është e padiskutueshme.
Ai tha se dita e mirë shihet në mëngjes dhe në bazë të kësaj që po shihet këtu, fitorja jonë në Kamenicë do të ndodh ditën e zgjedhjeve.
“Jam para jush për t’u thënë se profesor Surdulli e ka përkrahjen e plotë të partisë, përkrahjen e qytetarëve, por e ka edhe përgjegjësinë e madhe për të cilën jemi të bindur se do ta kryejë me sukses”, tha Mustafa, përcjell EkonomiaOnline.
“Punësimi, zhvillimi ekonomik, arsimi më cilësor, shëndetësia, administrata dhe premtimet tjera të Surdullit do të bëhen realitet”, ka shtuar kryetari i LDK-së.
Mustafa ka theksuar se është e qartë se mandati katërvjeçar është i kufizuar dhe nuk premton për zgjidhjen e të gjitha problemeve, por ka shprehur bindjen se Surdulli do të japë maksimumin në realizimin e secilit projekt.
“Shpresoj dhe besoj fuqishëm se profesor Surdulli dhe kandidatët për asambleistë do ta marrin besimin tuaj, besim që do të shpërblehet me qeverisje të mirë. LDK-ja e meriton fitoren, sepse po shihet që askush nuk mund të qeverisë si ne, prandaj do të fitojmë në shumë komuna e më pas do të kthehemi edhe në nivelin qendror”, ka përfunduar kryetari i LDK-së.
“Kemi ardhur në shtëpinë e kulturës që mban emrin e dëshmorit Isa Kastrati për të dëshmuar se kemi vendosur që më 22 tetor ta votojmë numrin 47, pra Lidhjen Demokratike të Kosovës”, ka thënë kandidati i LDK-së për kryetar të Kamenicës, Shaip Surdulli, duke falënderuar kryetarin e kësaj partie, Isa Mustafën, e njëkohësisht duke e vlerësuar lart qeverisjen e tij gjatë kohës sa ishte kryeministër.
Surdulli ka thënë se është i gatshëm që tërë potencialin e tij ta shkrijë në të mirë të udhëheqjes së komunës, ndërsa është shprehur i bindur për fitore.
“Kamenica do të përparojë dhe do të vazhdojmë të punojmë aty ku e kemi lënë para katër vjetësh. Administrata dhe gjithë komuna do të jetë 24 orë në shërbim të qytetarit, do ta rrisim sasinë e ujit në qytet, do të gjejmë mundësi investimi për pendën e Kremenatës, do të vazhdohet projekti për ujësjellës në fshatrat tjera, do të rregullohet kanalizimi në Koretin dhe çdo lokalitet ku ka nevojë, do të asfaltohen rrugët e rrugicat, do të zgjerohet ndriçimi publik, do të ndërtohet një shkollë në qytet, një në Krilevë, një çerdhe në Roganë dhe do të rinovohet konvikti nxënësve”, ka premtuar Surdulli.
Sipas tij, shkollat do të pajisen me laboratorë, ndërkohë që do të hapen edhe drejtime të reja. Trajnimet e punëtorëve arsimorë, kontrolli i punës së tyre, renovimi i objektit të mjekësisë familjare dhe një varg projektesh tjera kanë zënë vend në programin e Surdullit.
Punësimi i të rinjve, bujqësia dhe subvencionimi i saj, bursat e studentëve, roli i gruas, pensionistët, njerëzit me nevoja të veçanta, përkrahja e klubeve sportive gjithashtu janë paraqitur si projekte që do të realizohen gjatë qeverisjes së LDK-së. Surdulli ka kërkuar mobilizim të përgjithshëm të anëtarësisë në mënyrë që më 22 tetor të arrihet fitorja, e cila do të jetë në të mirë të zhvillimit të Kamenicës dhe Anamoravës.