Mustafa godet Kurtin e Osmanin: Kanë bërë karrierë duke akuzuar pa fakte, të mbajnë përgjegjësi nëse rasti Berishaj del i vërtetë

Prishtinë | 23 Pri 2022 | 16:07 | Nga Ekonomia Online

Kurti e Osmani janë në krye të shtetit dhe jo në institucione fetare, prandaj ata duhet t’i besojnë ligjit dhe jo çka thonë personat e caktuar. Kështu po thotë ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, lidhur me rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dhe reagimin e krerëve të shtetit të Kosovës.


Mustafa ka goditur tandemin Kurti-Osmani, duke thënë se të dy karrierën e tyre politike e kanë krijuar duke akuzuar njerëz për krim, korrupsion e çdo gjë tjetër pa fakte, dhe jo duke besuar në njerëz. Ai shton se nëse del të jetë e vërtetë që ambasadori Berishaj është i përfshirë në skandalin në Slloveni, atëherë Kurti e Osmani duhet të mbajnë përgjegjësi.

Pasi mediat sllovene shpërfaqën skandalin financiar ku përmendet edhe emri i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Osmani i dolën në mbrojtje këtij të fundit. Ata thanë se ambasadori do ta padisë median për shpifje dhe do të presin organet e drejtësisë, pavarësisht se në të kaluarën të dy akuzonin zyrtarë shtetërorë pa e pritur fjalën e gjykatave.

Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një përgjigje për Gazetën Express tha se afera në të cilën po dyshohet se është i përfshirë ambasadori Berishaj është e rëndë dhe e dëmshme për Kosovën pavarësisht se si do të përfundojë në fund.

Sipas Mustafës sjellja e kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani dje është edhe më e rëndë dhe e papërgjegjshme pasi në punët e shtetit nuk i besohet askujt por vetëm ligjit.

“Afera është shumë e rëndë dhe e dëmshme për Kosovën, pavarësisht epilogut të saj. Aq më e rëndë dhe e papërgjegjshme është sjellja e Presidentes dhe e Kryeministrit ndaj kësaj afere. Nuk veprojnë ashtu krerët e shtetit. Ata nuk janë aty për të besuar apo për të mos besuar, nuk janë në institucione religjioze, por janë në krye të shtetit dhe e kanë për obligim ta sqarojnë problemin para qyterarëve. Ia kanë borxh edhe Kroacisë.Në punët e shtetit, nuk i besohet askujt. Vetëm ligjit, i mirë apo i keq qoftë”, tha Mustafa.

Ish-kryetari i Prishtinës, kujtoi kohën kur Vetëvendosje mori pushtetit në Prishtinë dhe e kanë akuzuar për 72 dosje pa asnjë argument.

“Kryeministri dhe Presidentja karrierën e tyre nuk e kanë krijuar duke besuar në njerëz, por duke akuzuar njerëz për krim, korrupsion dhe për çdo gjë që u ka rënë ndërmend. Kështu kanë ardhur në pushtet. Jo me fakte të verifikuara nga drejtësia, por me akuza politike. Me plot gënjeshtra. Janë këta të VV-së që më akuzojshin për 72 dosje të Komunës së Prishtinës, pa asnjë argumet. Mos t’ua numroj…”, u shpreh Mustafa për Express të shtunën.

Ai uroi që afera të mos jetë e vërtetë por që nëse dëshmohet e kundërta krerët shtetërorë të Kosovës duhet ta bartin përgjegjësinë.

Të ngjashme