Isa Mustafa ka hedhur akuza në drejtim të Prokurorisë, shoqëria civile dhe analistët e komentojnë këtë.
Të hënën nuk doli në vendin e punës.
Haki Rugova edhe për një muaj ka gjasë të mos shihet në ndërtesën e Komunës së Istogut.
Gjykata themelore e Pejës, ka vendos masën e arrestit shtëpiak për kryetarin e Istogut që dyshohet për veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.
Arrestimi i Rugovës, që është edhe nënkryetar i LDK-së, ka ngjallë reagime dhe dyshime.
Ndër të parët që reagoi kundër ndalimit të tij, ishte kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
“Në emër të LDK-së kërkoj të zhvillohet sa ma shpejt procesi gjyqësor, të vërtetohet bazueshmëria ligjore e akuzave ndaj Haki Rugovës, në qoftë se ky proces zhagitet, ne konsiderojmë se arrestimi, degradimi para opinionit si kryetar i komunës, si nënkryetar i LDK-së, si familjar është bërë me qëllime politike që ta dëmtojë atë personalisht dhe ta dëmtojë LDK-në.” Tha Isa Mustafa, kryetar i LDK-së
Por, një deklaratë e tillë po shihet si shqetësuese nga shoqëria civile.
Nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thonë që këto deklarata nga partitë politike janë kthyer në një praktik që nuk duhet vazhduar.
Ndërsa se arrestimi i tij nuk ka prapavijë politike, e thotë edhe analisti Blerim Latifi.
Latifi pohon se arrestimi i Rugovës do të ketë një rrugëtim të ngjajshëm me arrestimet e politikanëve në të kaluarën.
Rreth deklaratës së Mustafës, gjatë së hënës është pyetur edhe ministri i Drejtësisë, Selim Selimi.
Ky pa e komentuar shumë, ka thënë që politika duhet të qëndroj larg nga drejtësia.