Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka mohuar se është në listën e veteranëve, madje thotë se as nuk ka aplikuar.
Mustafa ka kërkuar që të veprojë ligji ndaj listave të fryera të veteranëve, pasi sipas tij po damkoset lufta, transmeton Koha.net.
“Lexova sot në një portal, sipas dëshmisë së z. Nasim Haradinaj, se edhe unë qenkam në listën e veteranëve. Dua të sqaroj për opinionin se as nuk kam aplikuar e as nuk jam shpallur veteran i luftës së UÇK-së. Me mijëra aktivist kemi grumbulluar fonde për Kosovën gjatë viteve të nëntëdhjeta, kemi mbështetur luftën e UÇK-së financiarisht, por as unë dhe as bashkëpunëtorët e mi nuk kemi kërkuar pension për çlirimin e vendit. Është tragjike të lejohet që çdo luftëtarë i vërtetë të bartë në supet e tij edhe dy veteran të rrejshëm. Kështu damkoset lufta e keqpërdoren taksapaguesit e Kosovës. Duhet të veprojë ligji”, ka shkruar Mustafa në Facebook.