Mustafa i reagon Muratit: Po krenohet me stagnimin ekonomik, jo me rritjen ekonomike

Prishtinë | 08 Kor 2026 | 08:10 | Nga Ekonomia Online

Ekonomisti Bashkim Mustafa ka kundërshtuar deklaratën e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili duke iu referuar parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar ka thënë se Kosova pritet të jetë ndër vendet me rritjen më të shpejtë ekonomike në vitet e ardhshme.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Mustafa tha se gjendja reale ekonomike në vend nuk përputhet me deklaratat optimiste të Qeverisë, duke vlerësuar se Kosova ndodhet në një periudhë stagnimi ekonomik.

“Ajo që është paralajmëruar që disa vite, vërehet edhe në raportet vendore edhe ndërkombëtare, por fatkeqësisht jemi në një pozitë që Qeveria në detyrë dhe Ministri në detyrë po krenohet me stagnimin ekonomik e jo me rritjen ekonomike. Ne kemi stagnim ekonomik që disa vite radhazi; jemi me 3% deri në 4% rritje ekonomike, pa marrë parasysh shkallën e lartë të inflacionit që është 6-7%. Dhe kur e merr këtë shkallë të lartë të inflacionit dhe e krahason me rritjen ekonomike, atëherë shifrat dalin negative. Po pak ka rëndësi se çka thotë Ministri në detyrë, sepse ai të vetmen punë që di me bë është kamuflazhi dhe mashtrimi publik, të cilin po e bën disa herë radhazi. Sa është e vështirë gjendja ekonomike sociale edhe qytetarëve, edhe bizneseve edhe ekonomia në përgjithësi me indikacionet, të gjitha janë negative”, deklaroi Mustafa.

Sipas tij, treguesit ekonomikë flasin për përkeqësim të situatës dhe jo për zhvillim ekonomik.

“Ne kemi rritje të nivelit të çmimeve. Emigrim (rritje të shkallës së emigrimit të popullsisë), stagnim ekonomik, rritje të kostove operative të bizneseve dhe të qytetarëve dhe dëmtim të klimës së bërjes së biznesit dhe të investimeve në Kosovë. Dhe krejt këto kur merren parasysh, rritja ekonomike nuk qëndron. Domethënë, është më shumë thjesht statistikë sesa diçka që mund të merret për bazë. Nuk mund të krahasohemi me një vend që të ardhurat për kokë banori i ka shumëfish më të larta, ndërsa një qytetar i vendit tonë të ardhurat për kokë banori i ka shumëfish më të ulëta”, u shpreh ai, për Ekonomia Online.

I pyetur nëse në vitet e ardhshme mund të pritet një përmirësim ekonomik, Mustafa tha se parashikimet aktuale nuk japin arsye për optimizëm.

“Indikacionet që kemi deri më tani si nga raportet vendore, nga ato ndërkombëtare, ashtu edhe nga ajo që shihet përmes analizave që i bëjmë dhe i përcjellim vazhdimisht tregojnë se është aty-aty; rreth 3-4% sillet që disa vite. Por kjo nuk është rritje ekonomike. Kosova ka nevojë për rritje të përshpejtuar mbi 8-9%, për t’u përafruar me vendet e rajonit, se lëre më që nuk po i zëmë dot dekadat e tëra. Pra, për t’u përafruar me vendet e rajonit na duhet një rritje 7-8% ose 10%. E fatkeqësisht, duke parë mendësinë qeverisëse të kësaj Qeverie, unë nuk pres një gjë të tillë. Pres thellim të varfërisë, degradim ekonomik e social dhe krizë, sidomos me mbylljen e vendeve të punës pasi bizneset nuk po kanë likuiditet financiar për t’i përballuar borxhet e tyre”, tha ekonomisti.

Mustafa shtoi se edhe krahasimi me vitet e kaluara tregon,  një trend të rënies së rritjes ekonomike.

“Vitet e kaluara ka qenë 4%, tash e ke 3.6%, a e dinçka domethënë kjo? A kemi rritje apo rënie ekonomike? Në rastin konkret kemi rënie ekonomike. Ka qenë 4.1%, është mbyllur me 3.9%, këtë vit parashihet të jetë 3.6%. Pra kemi rënie ekonomike, edhe pa marrë për bazë shkallën e inflacionit, që sipas raportit të Bankës Qendrore parashihet të mbyllet me 6.7%”, shtoi Mustafa.

Në periudhën 2027-2031, eurozona pritet të regjistrojë një rritje mesatare vjetore prej vetëm 1.2 për qind, ndërsa vendet më të vogla të Evropës, përfshirë ato të Ballkanit Perëndimor, pritet të ecin me një ritëm dukshëm më të lartë.

FMN parashikon që Bashkimi Evropian në tërësi të ketë një rritje mesatare prej 1.4 për qind në vit, ndërsa ekonomia botërore rreth 3.2 për qind. Në të njëjtën kohë, Azia në zhvillim pritet të rritet me 4.6 për qind në vit, India me 6.5 për qind dhe Afrika Sub-Sahariane po ashtu me 4.6 për qind.

Sipas vlerësimit të FMN-së, Evropa do të vazhdojë të përballet me pengesa strukturore si niveli i lartë i borxhit publik, plakja e popullsisë, produktiviteti i ulët, çmimet e larta të energjisë dhe pasiguritë gjeopolitike, elemente që pritet ta mbajnë rritjen ekonomike nën standardet historike.

Pavarësisht kësaj, Kosova dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor parashikohet të kenë performancë më të mirë se mesatarja e eurozonës, duke përfituar nga ritme më të larta zhvillimi dhe nga potenciali për konvergjencë me ekonomitë më të avancuara të Evropës.

Raporti i FMN-së nënvizon gjithashtu se, për të ruajtur rritjen në afat të gjatë, vendet duhet të shtojnë investimet në infrastrukturë, arsim dhe inovacion, si edhe të konsolidojnë financat publike, në mënyrë që zhvillimi ekonomik të mbështetet gjithnjë e më shumë te produktiviteti dhe jo vetëm te zgjerimi i tregut të punës.

Euronews raporton se ekonomitë e vogla evropiane pritet të vijojnë të tejkalojnë ritmin e rritjes së eurozonës edhe në fund të kësaj dekade, pavarësisht vështirësive me të cilat përballen ekonomitë e kontinentit.

Të ngjashme