Mustafa i reagon sërish Vjosa Osmanit: Fyerjet dhe akuzat i lë “në edukatën e saj”

Prishtinë | 07 Tet 2020 | 13:15 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nuk i komenton deklaratat e Vjosa Osmanit për të. Thotë se ato i lë të mbesin në edukatën e Osmanit.

Dje kryeparlamentarja Osmani e ka quajtur Mustafën “shërbëtor të bandave, mashtrues dhe humbës të shumëfishtë, e nxitur nga një deklaratë e Mustafës për Express, që e fajësoi kandidaten për kryeministre për humbjen e zgjedhjeve.

Mustafa sot thotë se nuk i pëlqen të komentojë akuzat dhe ato që u konsideruan fyerje të Osmanit ndaj tij.

“Më vjen keq, por më duket e ulët të komentoj një gjuhë të tillë. Le të mbetet çështje e edukatës së saj.”, ka deklaruar Mustafa për Express.

Mustafa ka pyetur Osmanin se kë po e përfaqëson tani si kryeparlamentare, pas rënies së koalicionit të LDK-së me VV-në.

“Në vend të kësaj, Vjosa duhet ta qartësojë se kënd e përfaqëson si kryetare e Kuvendit, pas rënies së koalicionit LDK-VV. Çfarë legjitimiteti ka?”, ka thënë Mustafa.

Përplasja në mes të Mustafës dhe Osmanit erdhi pas një interviste të kreut të LDK’së dhënë për Express.

“LDK-ja e ka kandiduar znj. Osmani për kryeministre në zgjedhjet e kaluara. Për kryeministre të LDK-së, jo të Vetëvendosjes, sepse VV-ja e ka pasur kandidatin e saj. Kur kemi hyrë në fushatë, LDK-ja, në bazë të matjeve të opinionit, ka qenë 6 për qind para VV-së. Kemi përfunduar pas VV-së, sepse fushata është zhvilluar duke e kopjuar VV-në. Qytetarët përkrahën origjinalin e kësaj politike, Albinin, jo kopjen, Vjosën. Qytetarët nuk votuan që LDK-ja të bëhet Vetëvendosje”, ka thënë Mustafa.

I menjëhershëm ishte reagimi i ish-nënkryetares së LDK’së, e cila nuk la gjë pa thënë për kryetarin e partisë së saj.

“Gjithçka mund të gjesh tek Isa Mustafa si tipar: mashtrimin, devijimin, ndryshimin e qëndrimeve sa hap e mbyllë sytë, tregtinë me parime etj, por nuk mund të gjesh asnjë pikë njerëzillëku”, ka shkruar Osmani në profilin e saj në Facebook.

Tutje ajo e ka quajtur Mustafën shërbëtor i ‘bandave mafioze’.

“Lëre që e braktisi këtë rrugë, por tani po dëshmohet si shërbëtori më i denjë i po këtyre kastave që vet i cilësonte “banda mafioze”. Madje si recidivist…E tash, edhe duke tentuar të fitojë pikë te këto “banda mafioze”, duke më sulmuar mua”, ka theksuar kryekuvendarja.

Pas deklaratave të kryetarit të partisë dhe ish-nënkryetares, kanë reaguar edhe Agim Veliu e Lutfi Haziri.

I kontaktuar nga Express, Veliu tha se Osmani po flet të pavërteta.

“Ajo është çështje e kaluar tashmë, ai proces ka kaluar dhe dihet si ka kaluar. Por, ka kohë që Vjosa flet gjëra të pavërteta dhe nuk ia vlen të merremi me të për më tepër”, ka thënë Veliu.

Tutje, Veliu tha se ka kohë që Osmani është jashtë vijës së LDK’së dhe se po bashkëpunon me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Nuk do doja të deklarohesh më shumë për këtë çështje. Kjo çështje është e kaluar. Qëndrime te mia kanë qenë të njohura. Por, ajo ka kohë që flet gjëra të pavërteta dhe është jashtë qëndrimeve dhe vijës së LDK’së. Këto po i pranon ajo edhe vetë, madje edhe bashkëpunëtorët e saj me të cilët po bashkëpunon. Tash e një kohë të gjatë ajo po bashkëpunon me Vetëvendosjen. Ata po deklarohen publikisht se janë në vij dhe mendojnë njëjtë, kemi qëndrime të afërta dhe këto janë publike”, ka thënë Veliu.

E në kundërpërgjigjen ndaj Mustafës, Osmani tha se askush në LDK nuk guxoi të kandidojë kundër Kurtit në zgjedhje për kryeministër pos saj, përveç njërit.

Gazeta Express gjithashtu ka kontaktuar edhe nënkryetarin tjetër të LDK’së, Lutfi Haziri, për ta pyetur se kush ishte personi tjetër që pos Osmanit që ishte i gatshëm të kanidojë për kryeministër, siç thotë Osmani.

Haziri ka thënë se “Nuk e di, pyetni Vjosën çka ka menduar. Unë e kam mbështet nominimin e Vjosës”.

Lidhja Demokratike e Kosovës në muajin qershor ka shkarkuar Vjosa Osmanin nga të gjitha pozitat udhëheqëse në parti.

Shkak për shkarkimin e Osmanit u bënë qëndrimet e saj kundër vendimeve të partisë.

Ajo kishte dalë kundër vendimit të partisë, duke mos votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Në vend të saj, nënkryetar i LDK-së u emërua Avdullah Hoti, i cili tani është edhe kryeministër i Kosovës.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme