Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka ritheksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për dialog, paqe dhe stabilitet si dhe normalizim të relacioneve me shtetet fqinje.
Duke komentuar qëndrimet e fundit të kryeministrit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili kishte deklaruar se Serbia është ajo që po përpiqet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, kryeministri Mustafa tha se është fakt botërisht i njohur se “Republika e Kosovës është shembulli më i mirë rajonal dhe më gjerë i përkushtimit maksimal për forma demokratike të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve”.
Sidoqoftë, kryeministri Mustafa tha po ashtu se Kosova e mirëpret edhe përkushtimin deklarativ të Serbisë për paqe dhe stabilitet.
“Në procesin evropian të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, ne kemi dëshmuar parimësinë tonë maksimale dhe përkushtimin e plotë për paqe, stabilitet dhe qasje në përputhje me vlerat evropiane”, është shprehur Mustafa, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.
“Këtë e di krejt bota demokratike dhe po vjen në shprehje çdo ditë e më shumë. Andaj, ne në koordinim me BE-në, me SHBA-të dhe vendet tjera mike, do të vazhdojmë këtë qasje evropiane dhe konstruktive, e cila nuk ka për synim nxitjen e tensioneve, konflikteve, por normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, pa dëmtuar ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në Kosovë”, tha Mustafa.