Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt takimi i Bordit të Projektit të UNDP-së për Siguri në Kosovë.
Në këtë takim morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, Alessandra Roccasalvo, përfaqësuese e Përhershme u.d e UNDP-së, Ambasadori Norvegjez, Per StrandSjaastad, Ambasadori Gjerman, ChristianHeldtdhe drejtori për Operacione në Policinëe Kosovës, Afrim Ahmeti.
Bordi i Projektit shqyrtoi rezultatet e projektit të arritura gjatë vitit 2018 dhe u diskutuan nevojat për asistencë të mëtutjeshme që do të kontribuojë në rritjen e sigurisë së përgjithshme në Kosovë.
Me këtë rast ministri Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa falënderoi projektin e UNDP- së për Siguri në Kosovë, i cili ka ndihmuar për gati 10 vite, jo vetëm në fushën e kontrollit të armëve të vogla, por edhe në kontekstin më të gjerë të çështjeve të sigurisë, përfshirë tani edhe në fushën e sigurisë kibernetike.
“Kosova e ka zbatuar në mënyrë të suksesshme Strategjinë për Armët e Vogla dhe të Lehta dhe planin e veprimit që nga viti 2009. E kam miratuar planin e veprimit me Udhërrëfyesin për zgjidhje të qëndrueshme rreth posedimit ilegal, keqpërdorimit dhe trafikimit të armëve të vogla dhe të lehta dhe municionit të tyre në Ballkanin Perëndimor deri më 2024. Udhërrëfyesi është pjesë e Procesit të Berlinit”, theksoi Mustafa
Mustafa theksoi se janë duke u adresuar të gjitha posedimet e paligjshme dhe përveç konfiskimit, janë duke u zbatuar edhe një aktivitet për legalizim, me qëllim që t’ua ofrojmë mundësinë të gjithë qytetarëve që të jenë në pajtim me ligjin, si dhe në anën tjetër të rrisim sigurinë në Kosovë.
“Duke e parë rrezikun në rritje nga krimi kibernetik, si dhe sigurinë online të qytetarëve tanë, do të doja ta falënderojë Projektin e UNDP-së për Siguri gjithashtu edhe për projektin në këtë fushë”, tha ministri Mustafa.
Në fund ai falënderoi donatorët: Qeverinë e Gjermanisë, Norvegjisë, Italisë, si dhe USAID, për ndihmën e tyre në të dy fushat, si dhe për mbështetjen që na e kanë dhënë për t’u bërë eksportues të sigurisë.
Projekti KSSP-së është plotësisht i integruar në kuadër të institucioneve përkatëse dhe mbështet zhvillimin e aplikueshëm të kornizës ligjore, strategjitë dhe planet e veprimit. Mbrojtja dhe siguria publike janë parakusht për zhvillim të qëndrueshëm dhe arritjen e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara (OZHQ-ve), posaçërisht OZHQ 16. Projekti është i fokusuar në kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta (AVL), zhvillim më të sigurt të komunitetit, parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe në kohët e fundit edhe luftimin e krimit kibernetik.