Mustafa: Kosova e para në Evropë për rritje ekonomike

Prishtinë | 20 Nën 2016 | 21:22 | Nga

Kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se Kosova radhitet e para në rajon dhe në Europë për rritje ekonomike, si dhe e 13-ta në botë për lehtësitë e krijuara në bërje të biznesit.

Ai ka thënë se kë janë të dhëna nga Instituti IFO i Universitetit të Munichut, duke e quajtur lajm të mirë për Kosovën.

“Të dashur miq, dëshiroj të ndaj me ju dy lajme shumë të mira, të radhës, për shtetin tonë. Instituti IFO i Universitetit të Munihut, ndër më prestigjiozët në Evropë, ka publikuar të dhënat për rritjen ekonomike për Evropën. Qartësisht shihet se Kosova ka rritjen më të lartë ekonomike në rajon dhe në Evropë”, ka shkruar Mustafa në faqen e tij në Facebook.

“Po ashtu, një prej mediave kryesore të biznesit në botë, Business Insider, në një artikull të saj ka renditur Kosovën në vendin e 13 në botë për lehtësitë e krijuara për bizneset, ku konkludohet se ‘Kosova e ka lehtësuar pagimin e taksave duke aplikuar një sistem online për deklarimin dhe pagimin e TVSH-së dhe kontributeve të sigurisë sociale. Po ashtu, ka lejuar më shumë kategori të shpenzimeve për t’u zbritur nga tatimi i korporatave’”.

Artikulli, i cili është bazuar në raportet e Bankës Botërore dhe ka analizuar të dhënat e më shumë se 130 mijë firmave në 139 ekonomi botërore, e ka futur Kosovën në listën e 17 vendeve më të suksesshme për hapjen e bizneseve, shpjegon Mustafa.

“Të nderuar bashkëqytetarë, Republika e Kosovës, dita e ditës po korrë sukseset e punës së jashtëzakonshme që është bërë në dy vitet e fundit në zhvillimin ekonomik, reformat fiskale, përmirësimin e ambientit për biznes, integrimet evropiane, forcimin e rendit dhe ligjit, mirëqenien sociale, përkrahjen e arsimit, kulturës, sportit, raportet me diasporën, e shumë aspekte të tjera”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme