Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa thotë se kundërshtarët janë ata që po ia duan fundin partisë së tij. Por që siç thekson ai, subjekti i tyre vetëm po rigjenerohet.
Kryeministri në largim, Mustafa vlerëson se LDK mëson nga votat e qytetarëve, por bën të ditur se LDK e ka të qartë se ajo nuk është parti që shërbehet me popullizëm, por se ajo ka një histori të pasur të një partie prijëse shtetformuese.
Postimi i Mustafës:
Me siguri mund të them se nuk ka subjekt politik, jo vetëm në Kosovë por edhe në vendet që e kanë kaluar tranzicionin, që tërhoqi dhe tërheq vëmendjen siç është Lidhja Demokratike e Kosovës. Parti që hyri në vitin e 28-të të veprimtarisë së saj.
Kundërshtarët dhe disa të vetëquajtur analistë politikë, luten t’ia shohin fundin e ajo vetëm sa rigjenerohet.
Publicistë të caktuar e disa drejtues të shoqërisë civile u përpoqën e po përpiqen të diktojnë se kush sipas tyre duhet të drejtojë LDK-në, e LDK u thotë se ata duhet të presin në rend, të aktivizohen në nëndegë, të propozohen nga degët në Kuvendin e LDK-së në zgjedhjet e ardhshme. LDK është e hapur për opinione të ndryshme, por LDK vendos vet. Askush nuk mund të merr vendime për LDK-në.
LDK mëson nga votat e qytetarëve, por LDK e ka të qartë se ajo nuk është parti që shërbehet me popullizëm, por se ajo ka një histori të pasur të një partie prijëse shtetformuese. Rrjedhimisht, as votat e bazuara në popullizëm nuk e ndikojnë vendimmarrjen në LDK.
Synimet tona janë afatgjata, kurse efektet e popullizmit janë afatshkurtëra, ato u shërbejnë individëve por jo edhe vendit dhe LDK-së.