Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe aktet ligjore në fuqi, ka marrë vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të kabinetit qeveritar të cilët janë zgjedhur deputetë në Kuvendin e Kosovës, për shkak të papajtueshmërisë së përcaktuar nga Kushtetuta.
Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa ka marrë vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të deritashëm të kabinetit, përkatësisht të zëvendëskryeministrit Ramiz Kelmendi, si dhe ministrave Enver Hoxhaj, Avdullah Hoti, Lutfi Zharku, Memli Krasniqi, Hykmete Bajrami, Rasim Demiri, Kujtim Shala dhe Arban Abrashi.
Vendimi është marrë në përputhje me Nenin 72 të Kushtetutës, i cili përcakton papajtueshmërinë, sipas të cilit, “Deputeti i Kuvendit të Kosovës nuk mund të mbajë ndonjë post ekzekutiv në administratën publike ose në ndonjë ndërmarrje në pronësi publike, dhe as të ushtrojë ndonjë funksion tjetër ekzekutiv, sikurse është përcaktuar me ligj”.
Kryeministri Isa Mustafa, në ditët në vijim, do të marrë vendim lidhur me personat që do të kryejnë këto detyra, deri në dorëzimin e mandatit qeverisë së ardhshme.