Pas mbledhjes 3 orësh së Lidhjes Demokratike të Kosovës me Këshillin e Përgjithshëm, kryetari Isa Mustafa, deklaroi se partia që ai drejton mbetet e përkushtuar në vazhdimin e takimeve për të arritur një marrëveshje me VV, raporton Ekonomia Online.
Mustafa tha se ky koalicion nuk duhet të jetë i rivalëve, por i partneritetit për të bërë ndryshimet për të cilat ka nevojë vendi.
“I informova anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, deputetët të zgjedhur, kryetarët lidhur me ecurinë që kemi pasur me Lëvizjen Vetëvendosje për koalicionin e mundshme. LDK mbetet e përkushtuar që të vazhdojmë edhe me tutje për të arritur një koalicion me VV”.
“Ky koalicion nuk duhet të shikohet si rival e politik por i partneritetit për të bërë ndryshime në qeverisjen më të mirë të vendit. Për ti ofruar perspektivë zhvillimore vendit. Këshilli ishte i bindur që në këtë marrëveshje duhet të vlerësohet karshi votave të qytetarëve qoftë në ndarjen e përgjegjësive dhe në programin qeverisës”, tha ai.
Mustafa theksoi se do t’i përgjigjen takimeve të VV, por siç tha ai duhet të ketë vullnet politik dhe besim për t’u arritur marrëveshja.
“Ne do të vazhdojmë t’i përgjigjemi VV për takimet e ardhshme, vlerësojmë se nëse ka vullnet politik, besim reciprok marrëveshja do të arrihet. Pjesë e marrëveshjes duhet të jenë gjitha pozitat. Të jetë në harmoni me interesin tonë. Qoftë nga zgjedhja e presidentit apo momente të tjera sfiduese sa i përket këtij koalicioni”, tha ai.
Ai ka kërkuar që marrëveshja të arrihet para datës 26, pasi sipas tij seanca konstituive të jetë e suksesshme.
“Ky koalicion të lidhet para datës 26 që të jetë e suksesshme seanca konstituive. Nuk shoh asnjë pengesë që VV mos të jep besimin pasi ne i japim besimin e kryeministrit. Në momentin që na ftojnë në jemi të gatshëm për takim”, ka thënë Mustafa.
Mustafa bëri të ditur se i kanë ofruar VV-së një ministri më shumë për postin e presidentit, por që nuk kanë pranuar.
Ne kemi dhënë një propozim sesi ta kapërcejmë këtë pengesë dhe nuk kam parë atë gatishmëri të VV-së dhe kemi propozuar që ne të japim edhe një ministri për postin e presidentit, pra ne t’i kemi katër ministri e ata gjashtë. Ne nuk flasim për ministri konkrete, unë nuk shoh ndonjë ministri të trajtohen në veçanti”, tha ai.
Mustafa: Nëse s’arrijmë marrëveshje me VV-në shkojmë në opozitë
Mustafa deklaroi se nuk do të presin mandat nga presidenti dhe as marrëveshje me partitë e tjera, por do të shkojnë në opozitë.
“Nuk është e drejtë të caktojmë emra nga tani. Kur të vjen momenti ne do ta përzgjedhim një emër. VV na ka pyetur se a kemi plan B, ne i kemi thënë se plani është të shkojmë në opozitë. Ne s’bëjmë marrëveshje me partitë tjera e as mandate nga presidenti”, tha Mustafa.
Kreu i LDK-së tha se këto vonesa janë përgjegjësi e partisë që ka dalë e para, VV duhet të nisë formimin e institucioneve dhe qeverisë.
“Opozita është çështje e ndershme dhe aty mund t’i kontribuojmë qytetarëve. Por nuk besoj se vjen deri aty. Nuk shoh asnjë arsye të lëshojë pe. Arsyeja themelore që kërkoj për përgjegjësinë para qyettarëve dhe besimin që kemi marrë. E pranojmë që kanë drejt nominimin për kryeministër dhe votojmë atë. Ne s’po masim me peshore se sa është fuqia e tij në qeverisje dhe kabineti i tij. Ne s’jemi duke bërë pazare as njëra palë më leshu pe, por përgjegjësia kryesore për themelimin e institucioneve është e partisë që ka dalë e para. Duhet të gjejnë rrugë që ajo zgjedhje të jetësohet”, ka thënë Mustafa.
I pyetur se kur do të mbahet takimi i radhës, kreu i LDK-së u përgjigj: “Kur ta ftojë VV-ja”.