Mustafa: Marrëveshja me Z-Mobile shpëtoi PTK-në nga falimentimi

Prishtinë | 24 Maj 2017 | 11:47 | Nga Besa Maliqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Z-Mobile dhe Telekomi i Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje me anë të së cilës kompania e udhëhequr nga Devollët heq dorë nga zbatimi i vendimit të Gjykatës së Arbitrazhi. Sipas vendimit të gjykatës Telekomi detyrohej t’i paguante 32 milion euro Z-Mobile.

Bisedime të vështira i ka quajtur Mustafa ato me përfaqësuesit e kësaj kompanie, bisedime këto që kanë zgjatur një muaj e gjysmë.

“32 milion euro është shuma që Telekomi i detyrohet Z-Mobile, pas vendimit të Arbitrazhit. Me këtë marrëveshje kemi arritur që Telekomin ta shpëtojmë nga falimentimit. Telekomi mbetet i pa prekur. Telekomi nuk i ka pas as nuk i ka 32 milion euro. Na kemi rreziku falimentimin, janë rrezikuar edhe 3500 punëtorë që të mbesin pa punë, pra janë rrezikuar që mos të marrin rroga. I kemi ikë edhe një procesi tjetër të Arbitrazhit që mund të kishte pasoja për Telekomin”, ka thënë Mustafa.

Por nga kjo marrëveshje Z-Mobile do të marrë në shfrytëzim nga Vala edhe 100 mijë numra si dhe shërbimin 3 dhe 4 G.

Telekomi i Kosovës do të paguajë vetëm shpenzimet gjyqësore të Arbitrazhit, shpenzime të cilat do të saktësohen nga vet gjykata dhe dokumentacioni i shpenzimeve.

Ndonëse kishin diskutuar për shumën e shpenzimeve të dy Mustafa e Gjikolli refuzuan të tregojnë sa do të jetë ajo.

Z-Mobile nuk do ti marrë Telekomit 32 milion euro e as nuk ka pretendime në privatizim. Këtë e garantoi Drejtor Menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa.

“Pretendimet për privatizim nuk ka dhe nuk ka pasur. Por nuk ka të keqe kush do me privatizuar, si një investitor nga jashtë por edhe dikush nga vendorët. Me Z-Mobile nuk kemi diskutuar për këtë mundësi me Blerimin, por ata janë shprehur se nuk kanë pasur pretendime as një herë për ta blerë postën”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa Milot Gjikolli, përfaqësues ligjor i Z-Mobile ka thënë se këtë vendim e kanë marrë në mënyrë që mos të shuheshin vendet e punës edhe pse marrëveshja nuk ishte respektuar.

 

Të ngjashme