Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë qëndrimit në Holandë ku do të marr pjesë në samitin e liderëve të shteteve dhe partive anëtare të Partisë Popullore Evropiane (EPP), u takua sot me nikoqirin e kësaj ngjarje të rëndësishme evropiane, presidentin e EPP-së, Joseph Daul.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa dhe presidenti Daul kanë biseduar për zhvillimet pozitive në Kosovë si dhe për përkrahjen e mëtejme të EPP-së për proceset eurointegruese të Kosovës dhe më gjerë.
Pasi e njoftoi për progresin që po arrihet në zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të punës dhe në fuqizimin e shtetit, kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për proceset eurointegruese.
Kryeministri Isa Mustafa, duke e falënderuar për përkrahjen vendimtare të EPP-së dhe të presidentit Daul për Kosovën në fazat e deritashme, kërkoi mbështetjen e familjes së madhe të EPP-së për proceset eurointegruese të Kosovës.
Presidenti i EPP-së, Joseph Daul, theksoi vlerësimin e tij për progresin e arritur dhe punën e përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për avancimin e mëtejmë të proceseve demokratike e zhvillimore në Kosovë.
Presidenti Daul, po ashtu, shprehu përkrahjen e tij dhe të EPP-së për proceset evropiane, zhvillimin ekonomik dhe proceset e tjera në Kosovë.
Samiti i liderëve të shteteve dhe të qeverive, si dhe drejtuesve të partive opozitare anëtare të familjes së Partive Popullore Evropiane (EPP), do të zhvillohet sot në Mastriht të Holandës.
Në këtë samit ku do të jetë i pranishëm kryeministri Isa Mustafa, do të marrin pjesë edhe liderët e shumë shteteve dhe qeverive të BE-së, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe kryetari i Grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian, Manfred Weber.