Mustafa: Muri u hoq në mënyrën më të mirë  

Prishtinë | 08 Shk 2017 | 12:59 | Nga

Kryeministri Isa Mustafa, e ka njoftuar kabinetin qeveritar për marrëveshjen që është arritur për rrënimin e murit në pjesën veriore të Mitrovicës dhe planin për ndërtimin e sheshit atje.

Mustafa ka thënë se është arritur një marrëveshje e cila është në përputhje me ligjin, dhe është bërë zgjidhja më e mirë e mundshme pasi që atë strukturë e ka larguar vetë komuna e Mitrovicës, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se ka pasur takime intensive me përfaqësuesit e komunës së Mitrovicës Veriore, kryetarin e komunës si dhe përfaqësuesit politik të serbëve, për të gjetur zgjidhje për çështjen e murit në Mitrovicë.

“Kemi pas takime intensive me përfaqësuesit e Komunës së Veriut, kryetarin e Komunës dhe përfaqësues tjerë të komunitetit serb. Nga ana e deputetëve dhe ministrave që janë tek ne, kemi pas po ashtu një përkushtim të madh dhe të drejtë, mjaft parimor dhe ligjor të MMPH-së dhe të MAPL-së. Është arritur një marrëveshje, e cila konsideroj se është shumë e mirë. Është një marrëveshje ligjore, është zgjidhë një problem në mënyrën më të mirë, në saj të mirëkuptimit. Edhe veprimin e mënjanimit të atij muri e ka bërë vetë Komuna dhe organet komunale”, ka thënë Mustafa.

Ministria e Mjedisit dhe ajo e Administrimit të Pushtetit Lokal gjatë gjithë periudhës i kanë marrë të gjitha masat ligjore dhe i kanë respektuar këto procedura në përpikëri, prej vërejtjeve që i ka dhënë Inspeksioni i Ministrisë së Mjedisit deri në momentin e fundit kur është hartuar dhe nënshkruar marrëveshja.

“Komuna e Mitrovicës së Veriut po ashtu ka zbatuar me përpikëri marrëveshjen që kemi lidh, sikurse edhe dy ministritë tona të cilat kanë punuar edhe ditën e shtunë që të kryejnë të gjitha veprimet që janë kërkuar nga këto ministri dhe tani kam informatën që kemi kërkesë nga Komuna e Veriut që të bashkëpunojnë ngushtë me MMPH-në në procesin e mbikëqyrjes së këtyre punimeve, në mënyrë që çdo gjë të bëhet, që është një shembull shumë i mirë”, tha kryeministri Mustafa.

Ndër të tjera Mustafa bëri të ditur që projekti për rivitalizimin e urës është duke u zbatuar 100% deri në këto momente.

Ai ka falënderuar edhe përfaqësuesit ndërkombëtar, ambasadorin amerikan dhe përfaqësuesen e BE-së në Prishtinë.

Shala: Zbatuam ligjin në heqjen e murit

Ndërsa, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, tha se gjithçka që kanë bërë ka qenë legjislative dhe në ambientet e brendshme të institucioneve vendëse.

“Esenciale është që ne kemi biseduar me pushtetin lokal dhe përfaqësuesit, e përfaqësuesit qendror të komunitetit serb. Që nga faza e implementimit, gjegjësisht të fillimit të ndërtimit, pas marrjes së informacioneve kronologjike, ne kemi kryer të gjithë hapat e ndërprerjes në fillim të punimeve. Ndërprerja e punimeve është rasti i parë, i veçantë ose unik, që ata fillojnë me zbatuar vendimin dhe procesverbalet tona, pastaj orvatjet tjera për të modeluar janë ndërprerë përsëri nga inspektorët tanë”, ka thënë Shala.

“Kemi filluar procedurat juridike, por paralelisht kësaj asnjëherë nuk e kemi ndërprerë komunikimin në nivel zyrtar me përfaqësuesit e pushtetit lokal të komunës së Mitrovicës së Veriut. Kanë filluar bisedimet pas ngritjes së atij tensioni dhe me ndihmën edhe të partnerëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambasadorin Delawie, përfaqësuesit e Zyrës së Bashkimit Evropian, znj. Apostolova, ekipet e tyre dhe përfaqësuesit e dy institucioneve tona, zëvendësministrin dhe ekipin e Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me kabinetin e kryeministrit”.

“Ne kemi zbatuar ligjin në përpikëri, kemi kryer detyra kushtetuese, kemi realizuar dhe arrit që edhe pjesa e asamblistëve të komunës së Mitrovicës së Veriut, të pajtohen plotësisht me këtë marrëveshje, për herë të parë kemi një dakordim të të gjitha partive politike, pa marrë parasysh nga çfarë krahu vijnë, e aprovojnë këtë projekt, dhe për herë të parë kemi një projekt në komunën e Mitrovicës së Veriut që i kalon të gjitha procedurat legale juridike nga niveli lokal deri në nivel qendror, dhe retroaktivisht, kërkesën dhe përgjigjet tona”.

“Marrëveshja është plotësisht legale, është arrit mes palëve të institucioneve tona, sepse këtu ka tendenca dhe implikime, dhe është bërë gjithmonë në ambientet zyrtare të Republikës së Kosovës. Ndihmesë të madhe kanë dhënë të gjitha ata që u thanë më herët, por që e veçanta tjetër është që, pas arritjes së kësaj marrëveshje, ka filluar implementimi dhe kemi realizim pothuajse qind për qind deri në këtë moment, të asaj që është arritur dhe të asaj që është planifikuar”, ka thënë Shala.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme