Policia e Kosovës ka organizuar ceremoni zyrtare për promovimin dhe gradimin e zyrtarëve të saj. Janë graduar 90 kolonelë, 13 nënkolonelë, 45 majorë dhe 59 kapitenë, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Ekrem Mustafa, e quajti fat dhe dhuratë besueshmërinë që qytetarët e Kosovës po i japin Policisë së Kosovës.
Ai u shpreh bindshëm se PK-ja është ndër policitë më kredibile në rajon.
“Gjithë kjo është bë me punë me bashkëpunëtorë ndërkombëtarë siç na ndihmojnë edhe financiarisht, edhe në mënyrë profesionale. PK-ja momentalisht për dikë duket e çuditshme, por është ndër policitë më të mira dhe më kredibile për gjithë rajonin. Ky është vlerësim i ndërkombëtarëve dhe në të gjitha takimet e mia përmendet policia për punët që i ka arrit. Siguria e shtetit është siguria e familjeve tona, siguria në investimet, në shkollimet, e ngritjes së familjes në territor të shëndoshë. Kisha dëshiruar që kjo gradë të shfrytëzohet për të mirë dhe të kontribuoni në sigurinë në përgjithësi”, tha Mustafa.
Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Rashit Qalaj, tha se që nga 2006-ta një numër i kolonelëve nuk janë graduar për çka ka qenë e nevojshme.
Ai përmendi bashkëpunimin mes policisë dhe qytetarëve, duke thënë se nuk mund të përmbushet puna pa bashkëpunimin e ndërsjellë.
“Është ditë e veçantë për Policinë e Kosovës dhe për Kosovën. Sot do të avancojmë në gradë, do gradojmë një numër të kapitenëve, majorëve, nënkolonelëve. Tash janë krijuar mundësitë që të gradojnë dhe do kemi një proces të rëndësishëm të gradimit të një numri të kolonelëve të Kosovës që herën e fundit është graduar ën vitin 2006. Kjo ditë përveç ndihmon në përmbushjen e objektivave strategjik ka një ndikim të madh në tërë organizatën sidomos në përpjekjet tona që të ofrojmë shërbime sa më të mira për qytetarë, të jemi sa më efektivë para ligjit, që të jemi sa më strikt në zbatimin e ligjit, të jemi sa më shumë të përgatitur dhe të zhvilluar në karrierë dhe që bashkë me kolegët tanë të mbajmë rendin dhe ligjin, të ofrojmë kushte më të mira, të parandalojmë aksidente trafiku, të japim shpresë sa më të madhe këtij populli që Kosova të jetë vendi që secili e ndjen vetën të sigurt”, tha Qalaj.
“…Ne kemi një detyrë fisnike dhe obligim ligjor që të punojmë bashkërisht. Ne si polici nuk mund të bëjmë shumë pa popullin. Policia është populli ashtu si populli është policia”.
Menaxherja e ICITAP, Kimberly Riffe, tha se gradat do tu vijnë edhe me më shumë përgjegjësi ndaj qytetarëve.
“Me gradim vjen edhe përgjegjësia jo vetëm me kolegët por me qytetarë që të veproni në drejtësi dhe përgjegjësi pa u ndikuar nga lidhjet e afërta që mund të keni me ta”, tha ajo.