Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, beson se në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, pra më 2018, do të parakalojë Ushtria e Kosovës.
I pyetur rreth mosparakalimit të FSK-së në nëntëvjetorin e Pavarësisë, Mustafa ka thënë se meqë vitin e ardhshëm është vit jubilar atëherë këto trupa do të parakalojnë dhe pritet që kjo forcë të shndërrohet në Ushtri.
Mustafa i bëri komentet për gazetarët, pas homazheve që bëri te shtatorja e presidentit, Ibrahim Rugova, i shoqëruar nga ministrat e kabinetit qeveritar.
Kryeministri, njëherësh kryetar i LDK-së, tha se kontributi i Rugovës ka qenë esencial në pavarësinë e shtetit të Kosovës.
Sipas Mustafës, institucionet e vendit duhet të kenë në model politikën e tij që gjithmonë ishte në harmoni me bashkësinë ndërkombëtare.
“Jemi së bashku me zëvendëskryeministrin Kuçi, me ministrat e Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i bërë nderime Presidentit Ibrahim Rugova. Ne si institucione të Republikës së Kosovës vlerësojmë lartë figurën e Presidentit Rugova dhe kontributin e tij në shtetndërtim, ashtu siç vlerësojmë shumë lartë luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të gjithë atyre që u flijuan qoftë me mendje, qoftë me jetë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për ndërtimin e shtetit të Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.