A mund të përsëritet historia sikurse në rastin e I. Rugovës?

Prishtinë | 02 Kor 2023 | 10:20 | Nga Afrim Kasolli

Prej se ka filluar krisja e raporteve ndërmjet pushtetit me bashkësinë ndërkombëtare, po i mshohet idesë së kjo është hera e parë që nga vitet ’90 të shekullit të kaluar që diplomacia e vendeve perëndimore ka më shumë mirëkuptim për qëndrimet politike të Serbisë se sa për kë kërkesat politike të Kosovës. Se tashmë Kosova ndodhet e vetmuar në teatrin e politikës globale.

Madje në funksion të këtij interpretimi kryetari i LDK-së, tashmë ka premtuar themelimin e rrugës së tretë, (një term ky i huazuar nga vokabulari politik i Tony Blair, ku aspironte që në përmjet rrugës së tretë të ndërtonte një sintezë të re politike dhe ideologjike, ndërmjet politikave të djathta ekonomike dhe atyre të majta sociale) si shtegdalje nga kriza.

Dhe në këtë mënyrë i mbështetur edhe nga një pjesë e mediave, pretendon ta ringjallë shembullin e Rugovës, i cili ia doli që me urtësinë e tij ta bind botën që të ketë mirëkuptim për kërkesat politike të shqiptarëve të Kosovës.

Mirëpo, nuk ka asgjë më larg së vërtetës se sa ky simplifkim politik. Nëse kishte një lider që ishte i vetmuar në kërkesat e tij dhe që askush nga bota demokratike nuk demonstroi konsideratë për qëllimet politike për shtetësi ishte pikërisht I.Rugova. Askush nga diplomacia ndërkombëtare nuk u bind për qëllimet e tij politike. Dhe askush nuk e përkrahu aspiratën për pavarësi. Ai e kishte kundër gjithë bashkësinë ndërkombëtare në këtë drejtim. Këtë fakt e përmendin shumë studiues. Njëri nga ta Stefan Torbest në punimin e tij “Conflict in Kosovo: Failure of Prevention? An Analytical Documentation, 1992-1998” , pohon se se “opinioni i përgjithshëm që në atë kohë ekzistonte brenda qarqeve diplomatike ndërkombëtare mbështetej në konstatimin se Kosova është pjesë e Serbisë dhe se secila përpjekje për të arritur pavarësinë nuk do të përkrahet dhe pranohet nga Bashkimi Evropian”.

Madje ky autor e akuzon këtë diplomaci, se me qasjen se çdo zgjidhje për problemin e Kosovën është mundshme vetëm brenda kufijve të ish-federatës Jugosllave, madje brenda Serbisë ishte një mbështetje indirekte për interpretimin e Milosheviqit se “konflikti në Kosovë ishte një çështje e brendshme e tij”.

Pra siç shihet nga këto interpretime kredibile akademike, kërkesat e Rugovës nuk përkraheshin nga bota demokratike. Ajo kishte më shumë respekt vetëm për metodat e tij. Por edhe pse bota e kishte shpërfillur politikisht, ai nuk i sulmonte diplomatët e huaj.

Kurse arsyet se pse në ndërkohë ndryshoi ky qëndrim ndërkombëtar sipas shumë studiueseve ishte sjellja e Miloshviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës. Dhe në kë të mënyrë u kuptua se nuk mbet asnjë opsion tjetër pos pavarësisë. Madje edhe pas luftës dhe gjithë atyre masakrave që kishin ndodhur nuk është se nuk ka ekzistuar një tendencë për të mos e lejuar shktërrimin e asaj Jugosllavie që kishte mbetur, me Kosovën si pjesë të asaj federate. Mirëpo, pavarësia e Malit të Zi i rrënoi të gjitha këto shpresa utopike.

Natyrisht, me këtë nuk po them se do të përsëritet historia dhe Albin Kurti i vetmuar në fund të do të arrijë ta bind bashkësinë ndërkombëtare se faji është te Serbia dhe jo te Kosova. Sepse tash jetojmë në rrethana dhe në një kontekst tjetër politik. Por vetëm sa për të tërhequr një paralele, se nëse ishte një lider që bota nuk i kishte përfillur kërkesat e tij politike, atëherë ai ishte Ibrahim Rugova.

Mirëpo, ai nuk hoqi dorë nga to me shpresë se pashmangshëm një ditë do të diskreditohet ndërkombëtarisht politika e Serbisë , dhe bota do të bindet se vetëm kauza e tij është zgjidhje e drejtë për çështjen e Kosovës. Dhe ashtu ndodhi, por pas shumë zhvillimeve të tjera, që dihen nga të gjithë ne. Po ashtu, me këtë nuk them se një fat i ngjashëm do ta ndjekë edhe Albin Kurtin.

Sepse siç ka pohuar K. Popper e “sigurt është vetëm pasiguria”. Sidomos në politikë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme