Mustafa: Nesër është dita kur Kosova do të marrë ndryshimin që i nevojitet, LDK-ja po merr mbështetje të madhe

Prishtinë | 08 Shk 2025 | 11:08 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, e ka quajtur ditë të ndryshimit për Kosovën, zgjedhjet që do të mbahen të dielën, teksa përmendi mbështetjen e madhe të qytetarëve që e kanë marrë këtë fushatë, siç u pa në tubimet e fundit, veçanërisht në Podujevë, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për media, Mustafa ftoi qytetarët të marrin pjesë në tubimin përmbyllës në Prishtinë dhe t’i bashkohen LDK-së, duke e quajtur këtë parti zgjidhjen e vetme për Kosovën.

“Sot, një ditë para zgjedhjeve, ju drejtohem me entuziazëm të madh e përplot emocion. Nesër është dita e zgjedhjeve. Nesër është dita kur Kosova më në fund do të marrë ndryshimin që i nevojitet. Kur shihni se çfarë po ndodh javën e fundit në çdo tubim që kemi mbajtur, veçanërisht mbrëmë në tubimin në Podujevë ku nuk shihej fundi i mbështetësve tanë, ju e kuptoni shumë thjeshtë se ndryshimi po vjen. LDK është kudo! LDK është e juaja. LDK ka lind nga populli i Kosovës dhe është kokë e këmbë e popullit”, theksoi Mustafa.

Ai theksoi rëndësinë e votës dhe inkurajoi njerëzit të sigurohen që të votojnë nesër.

“Sonte do të kemi tubimin tonë përmbyllës në ora 18:00, pikërisht këtu në Prishtinë, në sheshin më të madh të Republikës sonë, në Sheshin Skënderbeu ku nga lart na sheh lideri jonë shpirtëror, ati themeltar i Republikës, Presidenti Historik Ibrahim Rugova. Ju ftoj të gjithëve të vini sonte në këtë tubim. Mund edhe të jetë ftohtë jashtë, por do të jetë ngrohtë në zemrat tona. Ejani dhe bashkohuni me ne, edhe nëse nuk jeni ende të sigurt se për kë do të votoni. Ejani dhe shiheni e dëgjojeni LDK-në në krye me Lumirin. Pasi të na dëgjoni, nuk do të keni asnjë dyshim. Pasi ta shihni mbështetjen masive, energjinë e mahnitshme, përbashkimin e madh të popullit me Lidhjen Demokratike, nuk do të keni asnjë dyshim seLDK është zgjidhja e vetme. Dhe pas kësaj nate sigurohuni që të gjithë që njihni të dalin dhe të votojnë nesër. Gjithçka tani është në duart tuaja”, u shpreh Mustafa.

Të ngjashme