Në kohën sa një turmë e njerëzve ka dalë për të protestuar kundër skandalit të përgjimeve që janë përfshirë zyrtarë të lartë të PDK-së, parti qeveritare në koalicion me LDK-në, kreu i kësaj të fundit
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa përmes një postimi në rrjetin social Facebook iu ka adresuar qytetarëve edhe njëherë në lidhje me Demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi.
Ai ka thënë se në debatin e mbajtur më 3 gusht të këtij viti për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, një pyetje mjaftë bazike ishte se a ka pala malazeze të dhëna kadastrale për pronat që kanë mbetur andej kufirit, e për të cilat opozita dhe disa ekspert pretendojnë se janë të Kosovës.
“Një pyetje e tillë u shtrua edhe sot në takimin me liderët politikë, në të cilin morën pjesë edhe ambasadorët e Kuintit. Edhe pse e kisha sqaruar këtë çështje më parë me Komisionin Shtetëror, sot kërkova dokumentacion analitik lidhur me këtë. U dëshmua se ekzistojnë 11 zona kadastrale në anën e Malit të Zi, përgjatë kufirit me Kosovën, parcelat kadastrale me numra përkatës dhe emrat e pronarëve, qoftë privat apo publik”, ka shkruar Mustafa.
Kryeministri ka thënë se në fillim të javës tjetër Komisioni do ta bëjë publike për opinionin evidencën e të gjitha këtyre zonave kadastrale nga pjesa e Malit të Zi.
“Po ashtu do të japë adresën në internet, ku çdo deputet i interesuar, zyrtar apo qytetar i Kosovës mund të vërtetojë pronësinë dhe komunën në të cilat janë të regjistruara ato prona”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka thënë se nuk do të falet asnjë pëllëmbë tokë me të cilat ka administruar Kosova dhe Komuna e Pejës.
“Por nuk mund t’i japim të drejtë vetes, që pronat e pronarëve të cilat i kanë të evidentuara dhe administrohen në komunën e Rozhajës apo të Plavës, t’i shpallim prona të Kosovës. Në mes Kosovës dhe Malit të Zi nuk ka tokë të askujt, apo ‘terra nulleus’. Çdo tokë e ka titullarin e pronës dhe është e evidentuar ose në komunat e Kosovës ose në ato të Malit të Zi. Ne nuk do të mund t’i marrim 8200 hektarë, për të cilat pretendohet, nga personat privatë dhe publikë që i kanë të evidentuara në Mal të Zi pa pëlqimin e këtyre pronarëve dhe të Shtetit të Malit të Zi”, ka thënë Mustafa.
Kryeministri Mustafa mbetet i bindur se Qeveria e ka bërë punën e saj në mënyrën më të përgjegjshme, ndërkaq ratifikimi i Marrëveshjes është kompetencë dhe përgjegjësi e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.