Kryeministri i Republikës së Kosovës Isa Mustafa priti në një takim pune Bordin e Asociacionit të Komunave të Kosovës të udhëhequr nga kryetari Naim Ismajli dhe i shoqëruar nga anëtarët e Bordit, Agim Veliu e Muharrem Sfarqa si dhe drejtori ekzekutiv Sazan Ibrahimi.
Në këtë takim, përfaqësuesit e AKK-së njoftuan kryeministrin me punën e AKK-së, për të arriturat e nivelit lokal si dhe për raportet në mes të niveleve të ndryshme të qeverisjes qendrore dhe lokale në Kosovë.
Poashtu u bisedua për nivelin e deritashëm të bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Asociacionit të Komunave të Kosovës – si përfaqësues i nivelit lokal në vendin tonë.
Kryetari i AKK-së, Naim Ismajli, vlerësoi mbështetjen e Qeverisë, duke theksuar angazhimet AKK-së për avancimin e proceseve që lidhen me komunat e Kosovës. Poashtu z.Ismajli, kërkoi përfshirje më të madhe të AKK-së në proceset që lidhen me miratimin e akteve legjislative si dhe proceset vendimmarrëse për të reflektuar qëndrimet e komunave të Kosovës.
Kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përkrahur pushtetin lokal në Kosovë, duke pas parasysh rëndësinë që kanë komunat për përmirësimin e jetës së qytetarëve, duke qenë ofrues të drejtpërdrejtë të shërbimeve.
Poashtu kryeministri Isa Mustafa theksoi mbështetjen e Qeverisë edhe për adresimin e akteve ligjore të cilat do të avancojnë pushtetin lokal në aspektin e financave, zhvillimit ekonomik, vendimmarrjes si dhe ofrimin e shërbimeve më kualitative për qytetarët.