Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka rikonfirmuar për “Zërin” se pa ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, edhe atë brenda muajit shkurt, liberalizimi i vizave mund të mos bëhet as në vitin 2017. Përgjegjësinë për mbajtjen peng të qytetarëve ai ka thënë se e bartin deputetët të cilët po e pengojnë procesin.
Nëse ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi nuk do të bëhet gjatë muajit të ardhshëm (shkurt), liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian (BE) mund të mos bëhet as gjatë vitit 2017. Kështu ka thënë në një intervistë të dhënë “Zërit”, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Sipas kryeministrit Mustafa lëvizja e lirë është në duart e deputetëve të opozitës, por, siç ka thënë ai, edhe të një numri të vogël të tyre nga partitë e pozitës, të cilët po e kundërshtojnë ratifikimin e Marrëveshjes për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi.
Ndërkohë, duke folur rreth thirrjeve për ndërprerje të dialogut me Serbinë, pas zhvillimeve të fundit, kryeministri ka thënë se izolimi pa alternativë nuk është e arritur dhe do të ndërpriste proceset integruese euroatlantike. Ndërkaq shtrirja e sovranitetit në tërë territorin e vendit është një tjetër qëllim, për të cilin, sipas kryeministrit Mustafa, Kosova do ta bëjë përpjekjen e saj maksimale për ta realizuar. Ndërkaq, duke folur për raundin e fundit të bisedimeve me Serbinë, ai ka thënë se ky takim ka pasur për synim dhe ka arritur që të ulë tensionet e krijuara së fundi pas provokimeve.