Kreu i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i Nismës, Fatmir Limaj pritet që të nënshkruajnë marrëveshjen e koalicionit për Qeverinë e re, raporton Ekonomia Online.
Mustafa ka thënë se i mandatuari për kryeministër Avdullah Hoti është në takim me partitë e komuniteteve.
Kurse sa i përket koalicionit me AKR-në ai tha se janë marrë vesh që kjo parti të jetë pjesë e Qeverisë së re, por që nuk ka kontaktuar me kreun e kësaj partie, Behgjet Pacollin.
Ai ka komentuar edhe deklaratat e ushtruesit të detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se Pacolli do të karantinohet si të hyjë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
“Sa i përket AKR ne jemi marr veshë që ata ta kenë vendin në qeveri dhe nuk kemi arritur të bisedojmë me Pacollin. Jo nuk e kam kontaktuar Pacollin”.
“Është për tu mahnitur pozicionimi i Sveçlës sepse ashtu askush nuk mund të shprehet për një deputet”, tha Mustafa.
LDK-ja dhe AAK-ja kanë nënshkruar marrëveshjen për formimin e Qeverisë së re gjatë së mërkurës.