Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e kryesisë së kësaj partie ku është diskutuar për zgjedhjet e brendshme që pritet të mbahen më 3 gusht dhe kandidaturat për të parin e LDK-së, raporton Ekonomia Online.
Zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa, ka thënë se e gjithë anëtarësia vlerësoi se në krye të LDK-së duhet të jetë një figurë përbashkuese.
“ Në mbledhjen sotme, u diskutua për përgatitjet e Kuvendit Zgjedhor. Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Kryesia vendosi t’i propozojë Kuvendit anëtarët e Komisionit Statutar, Komisionit Verifikues, Komisionit Kandidues, Komisionit Zgjedhor si dhe Kryesisë së Punës”, tha ai.
Mustafa para mediave ka bërë të ditur se në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së është folur edhe për kandidaturat për të parin e LDK-së.
Ai ka thënë se LDK-ja po punon që në krye të kësaj partie të jetë një figurë përbashkuese.
“Kryesia vlerësoi lart interesimin dhe pretendimin për të kandiduar nga disa kolegë në kryesi me kontribute shumë të larta në LDK për 30 vjetët e fundit. Kryesia dhe gjithë anëtarësia e LDK-së vlerëson se është shumë e rëndësishme që në krye të LDK-së të jetë një figurë përbashkuese – zgjidhje për të cilën po punohet intensivisht deri më 3 gusht”, tha ai, raporton EO.
Mustafa nuk ka dashur të komentojë nëse kjo nënkupton që po tentohet të arrihet një marrëveshje për një kandidat konsensual për postin e të parit në LDK.
“Të gjitha kandidaturat shpallen më 3 gusht, konform edhe statutit të LDK-së. Po punohet intensivisht që të vlerësohen të gjitha kandidaturat brenda kryesisë, pra atyre që kanë kontribuar që 30 vjet në LDK”.