Kryetari i LDK-së, njëherësh kryeministër në detyrë, Isa Mustafa, tha se koalicioni LDK-AKR-Alternativa do të merret me problemet jetike të qytetarëve të Kosovës.
Ai para qytetarëve tha se asnjëherë nuk kanë dashur që zgjedhjet të mbaheshin gjatë muajit të Ramazanit, por sipas tij partneri i koalicionit nuk e ka respektuar këtë.
“Ne kemi kërkuar që zgjedhjet të mos mbahen gjatë muajit të Ramazanit por partneri jonë nuk e ka respektuar këtë muaj. Ata që nuk e respektuan muajin e Ramazanit nuk e meritojnë votën e qytetarit. Votën tonë e meritojnë ata që besojnë zotin respektojnë familjen”, tha Mustafa.
Mustafa tha se i siguron ata se ky koalicion e ka kandidatin më të mirë për Kosovën duke e quajtur Avdullah Hotin njeri të besës dhe të besimit.
“Ju garantoj që në këtë frymë që e kemi këtu e bartim te qytetarët në mbarë Kosovën atëherë fitorja është e jona. Fitorja është e lidhjes së Ibrahim Rugovës emrin e të cilit e mbanë kjo shkollë. Ne këtë fitore e konsiderojmë si fitore të Kosovës. Ne dëshirojmë ta kemi një qeveri e cila do të merret me problemet jetike të qytetarëve. Do të punojmë që të sigurojmë vende të punës për qytetarët e Obiliqit ambient më të mirë infrastrukturë do të ndërtojmë kapacitetet e reja energjetike”, tha ai.
Ai tha se të tjerët kanë qejf të bëhen kryeministër, ndërsa Avdullah Hoti e meriton të jetë kryeministër.
Hoti: Integrimi evropian shtyllë e platformës tonë qeverisëse
Mes brohoritjesh nga simpatizantët, koalicioni LDK-AKR-Alternativa ka prezantuar programin qeverisës në shkollën “Ibrahim Rugova”, në Obiliq. Kandidati për kryeministër nga ky koalicion, Avdullah Hoti, ka thënë se ky është koalicion i shpresës që është bërë bashkë për të mirën e qytetarëve të Kosovës.
“Ne kemi punuar bashkë për të përgatitur programin që e quajmë kontratë për qytetarët që do ta lidhim me 11 qershor. Jam plot besim që me pritjen që kemi gjithandej në Kosovë do të marrim përkrahjen më të madhe që kemi pasur ndonjëherë. Programi jonë është i jashtëzakonshëm i cili është program për problemet e qytetarëve për të rinjtë. Ne kemi bërë të ditur që do të trefishojmë buxhetin në bujqësi. Për të rinjtë një vit punë me pagesë që kryejnë shkollimin që do të paguhen nga fondi për zhvillim”.
“Nëse ka munguar diçka në Kosovë është rendi dhe ligji, lufta kundër korrupsionit dhe ne për dy vite e gjysmë e kemi stopuar tenderomaninë dhe do ta qojmë deri në fund këtë mision. Shtylla tjetër do të jenë integrimet evropiane ku do të marrim vendimet më të vështira që duhet ti marrim, edhe për demarkacionin për të siguruar që të rinjtë e të rejat tona të lëvizin lirshëm. Për të realizuar këto neve na duhet një mbështetje e madhe dhe asnjëherë nuk ka qenë më e qartë mes koalicionit tonë të zhvillimit të shpresës dhe koalicionit të territ të frikës të njerëzve që shkaktojnë anarki të njerëzve që vrapojnë për tu bërë kryeministër për 10 apo 15 vite”, ka thënë Hoti.
Pacolli: Lëvizje e lirë e garantuar në 6 muajt e parë të mandatit
Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, tha se koalicioni LDK-AKR-Alternativa është e vetmja alternativë e drejtë për Kosovën.
“Ky koalicion duhet ta udhëheq Kosovën dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër dhe çdo. Alternativë tjetër është një vazhdimësi e filluar para 18 vitesh dhe si pasoj e tyre ja ku kemi. mbetur. Ne jemi koalicioni i punës i dijes i shpresës”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se koalicioni AKR-LDK-LD-Alternativa, mbështetet në vepra dhe punë.
“Ne do të krijojmë 80 mije vende të reja pune qysh në vitin e parë të qeverisjes, këtë ne e kemi kalkuluar mirë”, ka shtuar Pacolli, duke thënë se përmes rritjes ekonomike që do të jete 8 deri ne 10%, çdo student i diplomuar do ta ketë punën e sigurt.
“Bukuria e gjithë kësaj është qeverisja e këtij koalicioni, i cili shumë shpejt do t’ua mundësojë qytetarëve të Kosovës edhe lëvizjen e lirë”, ka thënë ndër të tjera Pacolli.