Kryetari i nderit i LDK-së, Isa Mustafa, ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë që kanë të bëjnë kryesisht me menaxhimin e kontestueshëm të pandemisë nga Qeveria Kurti II – që së fundi mori masa të reja antiCOVID-19 derisa refuzoi vaksinat nga Shqipëria.
Prej sot kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-Covid të ndërmarra nga Qeveria Kurti II megjithëse numri i rasteve ka qenë në rënie prej disa ditësh.
Këto masa janë kontestuar madje edhe nga vetë simpatizantët e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet që udhëhiqet nga Albin Kurti.
Por, si i sheh këto masa Isa Mustafa, profesori i ekonomisë dhe ish kryetari i LDK-së?
Ai shprehet se Kosova tashmë ka një regjim absolut që mund të bëj çfarë të dojë, dhe masat e reja i sheh brenda kësaj fryme represive.
“Para këtij regjimi, jam shprehur prore kundër masave të cilat ngujojnë qytetarët dhe e dëmtojnë ekonominë shumë fragjile [të Kosovës]. Masa të tilla shpërfaqin botëkuptimet e atyre që i sjellin [Qeverisë], pikëpamjet e tyre represive të ushtrimit të pushtetit. Ato nuk japin rezultate, në të kundërtën, krijojnë frikë dhe depresion te qytetarët. Kjo nuk na nevojitet. Por, për këtë kemi votuar!”.
I pyetur për refuzimin që Albin Kurti i bëri vaksinave kineze që Shqipëria po i jepte Kosovës, dhe nëse kjo ka lidhje me hatërmbetjet personale të Kurtit me Edi Ramën, Mustafa sërish ishte kritik ndaj Qeverisë.
“Nuk e kuptoj pse vëllezërit tanë në Shqipëri mund t’i përdorin e ne duhet t’i refuzojmë. Nëse Qeveria Kurti vendos të refuzojmë mallrat kineze dhe të zhvishemi nga këto mallra, pjesa dërrmuese e qytetarëve do të mbeten lakuriq, pa rroba të brendshme e pa të jashtme.” – deklaroi ai.
“Ndoshta edhe për këtë kemi votuar në “referendumin” e Albinit dhe Vjosës!”, përfundoi fjalën Mustafa.