Mustafa për skandalin me emërimin e Faruk Mujkës në Ibër Lepenc: Me këtë parti në pushtet, skandalet nuk kanë të ndalur

Prishtinë | 18 Dhj 2025 | 10:24 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa e ka quajtur Qeverinë nën udhëheqjen e Vetëvendosjes “Qeveri të ËhatsApp-it”, duke përmendur skandalin që u publikua në lidhje me emërimin e Faruk Mujkës në krye të Ndërmarrjes Publike Ibër Lepenc, e ku i njëjti deri e punësimi erdhi duke komunikuar me Dejona Mihalin dhe ministren tani në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, raporton Ekonomia Online.

Mustafa në një konferencë për media bashkë me anëtarin e kësaj partie, Berat Rukiqi tha se kjo metodë e tyre ka dëshpëruar edhe të rinjtë të cilët mësojnë fortë por në fund dëshpërohen veçse nuk e kanë mundësinë e një komunikimi me Mihalin.

“Me këtë parti në pushtet, skandalet nuk kanë të ndalur, err e terr. Në media kemi parë zbulimin e skandalit të radhës së Vetëvendosjes. Aty u shpalos manuali i VV-së se si e mbyt shpresën e një të riu që mëson fort, e pastaj dëshpërohet rëndë dhe në fund mbetet i papunë e i pashpresë, vetëm sepse nuk e ka WhatsApp-in e Dejones. VV erdhi në pushtet me premtimin se do të punojë me duar të pastra, por shumë shpejt u kuptua dhe u shpalos se janë të zhytur kokë e këmbë deri në fyt në pazare për punësime. Kjo nuk është qeveri, por është thjesht një qeveri e WhatsApp-it”, tha Mustafa.

Mustafa  tha se me këtë, VV-ja çoi mesazh tek të rinjtë se nëse je militant i Dejona Mihalit atëherë i ka dyert e hapura.

“Mesazhi i VV-së për një të ri apo të re është i qartë, është i ftohtë, është brutal. Nëse je militant i Dejonës e ke derën hapur, nëse je student i dalluar e ke derën mbyllur. Për VV-në shteti është pronë private, ndërsa zyrat e shtetit janë degë e nëndegë e partisë. Është e tmerrshëm ku në kohën e krizës energjetike ministrja në vend që të hartojë një strategji që ta nxjerrë vendin nga kjo krizë ajo merret me hartim e listave të rehatimit të militantëve”, tha Mustafa.

Ndërsa anëtari i LDK-së, Berat Rakiqi tha se vendi është shndërruar në qeverisje të kapjes së shtetit dhe jo të demokracisë. Për gjitha punësimet dhe kapjen e ndërmarrjeve publike, Rukiqi thotë se është në dijeni Albin Kurti, por shton edhe se Dejona Mihali pa asnjë pozitë shtetërore po luan rolin e kapos operative.

“Kosova po përballet me aferën më të rëndë të kapjes së shtetit, të njohur si WhatsApp afaera, apo afera e marrjeve të vendimeve në interes publik në grupet private të chat-eve të ndryshme jo vetëm në këtë formë të komunikimi. Përmes këtyre grupeve joformale është krijuar një shtet paralel dhe ka krijuar pasoja për qeverisje demokratike në vend duke e shndërruar në qeverisje totalisht të kapjes së shtetit dhe jo të demokracisë funksionale. Shefi formal politik i kësaj qeverisje, apo kësaj forme të qeverisjes është Albin Kurti, ish kryeministër i vendit. Siç e kemi pa edhe në rastet e kaluara, nëse kemi parasysh aktakuzën dhe bisedat nga aktakuza për ish-kryeshefin ekzekutiv të KEK, Nagip Krasniqi ai është në dijeni të plotë. Pra, asnjë strukturë e tillë para politike nuk mund të funksionojë pa dijeninë dhe përgjegjësinë e tij politike, ligjore dhe penale. Dejona Mihali një persona pa asnjë mandat ekzekutiv, pa asnjë funksion shtetëror vepron si kapo operative e një strukture para politike. Pra, gjitha vendimet publike, për ndërmarrjet publike që janë etike për ekonominë e vendit merren përmes kanaleve private komunikimi dhe jo në institucione. Gjitha udhëzimet politike për kryeshef dhe për ministrat, jepen jashtë procedurave ligjore dhe ndërmarrjet publike nuk kontrollohen nga publiku por nga partia”, tha Rukiqi.

Rukiqi për këtë ka bërë thirrje organeve të rendit që të nisin hetimet dhe të jepet përgjegjësi.

“Militantët e VV-së siç e kemi pa në shumicën e bordeve janë ata që pozicionohen në pozita kyçe drejtuese në ndërmarrje publike, kjo cenon barazinë në punësim dhe parimin e meritës dhe është vepër e qartë penale dhe vazhdojmë të kërkojmë aktivizim të organeve të rendit dhe ligjit për të kërkuar përgjegjësi. Pra hetim të plotë dhe dhënie të përgjegjësisë”, bëri thirrje Rukiqi.

 Tutje Rukiqi tha edhe se tregu i energjisë varet nga importi i Vuk Hamoviq e që kontrollohet nga njerëzit e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Një treg i energjisë elektrike i varur nga importi, nga Vuk Hamoviq kontrollohet nga njerëzit e Lëvizjes Vetëvendosje, kontrollohet nga parapolitika e kësaj partie e cila neve po na përkthehet në pasoja të rënda të qytetarëve, fatura të rrymës, me humbje të besimit në qeverisje e në shtet. Kërkesë imediate e LDK-së është hetimi i menjëhershëm penal i këtyre aferave. Mos ta harrojmë, kjo është veç ka kemi pa, por kjo është praktike. Por të merren në përgjegjësi, Kurti, Ministrja dhe Dejona Milhalit një person pa asnjë lloj funksioni zyrtar po kontrollon çdo proces me aminin e kryeministrit në detyrë Albin Kurti”, tha Rukiqi.

Të ngjashme