Mustafa: Përfitues nga importi i energjisë është Martin Berishaj – Statovci: Vetëm jeni përqafuar në Komision, aty e kishe

Prishtinë | 02 Shk 2023 | 19:00 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, kanë pasur një përplasje mes vete në lidhje me çështjen e energjisë elektrike, raporton Ekonomia Online. 

Aty u përmend ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili sipas Mustafës është përfituesi i vetëm i importit të energjisë elektrike. 

“Qytetarët kanë probleme bazike ministre dhe të vetmit që përfitojnë nga rritja e importit të energjisë elektrike janë tregtarët e energjisë elektrike”, tha Mustafa.

“Si e kishte emrin një anëtar i partisë suaj”, pyeti me ironi Mustafa. “Ah, Martin Berishaj, i vetmi që përfiton nga importi i energjisë elektrike është Martin Berishaj”, tha tutje Mustafa. 

Për këtë të fundit, Statovci tha se ka qenë i ftuar në Komisionin Hetimor por që ka pas vetëm përqafime mes vete. 

I menjëhershëm ishte reagimi i Mustafës. Tha se për kontratat e dëmshme, duhet të drejtohen në organet e drejtësisë. 

“Kanë kaluar dy vjet në pushtet dhe ende merreni me të kaluarën kush dhe çka ka bërë. Jeni që dy vite në pushtet, nëse dikush e ka shkelur ligjin në të kaluarën, qoj në burg dhe unë të vlerësoj dhe të duartrokas publikisht. Nëse ka kontrata të jashtëligjshme, shkëputi ato dhe krijoni kontrata të reja”, tha Mustafa. 

Por në reagimin e saj, deputetja Statovci ia përmendi arrestimet e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë për aferën “Subvencionet”. Ndërsa për ambasadorin Martin Berishaj, Statovci tha se “Mustafa e Berishaj vetëm janë përqafuar”. 

“Ndoshta me ia rikujtua deputetit Mustafa që kur e përmendi burgun që rreth 301 zyrtarë kanë shkuar në burg, e gjysma e tyre nga Ministria e Bujqësisë. Kur ke qenë ministër i Bujqësisë, pse nuk je marrë me këto raste e tek tash po thirresh në to. E në Komision Hetimor ke pas mundësi me taku ambasadorin (Martin) Berishaj, dhe përveç përqafimeve s’kemi parë gjë tjetër në atë aspekt”, tha në fund Statovci. 

Të ngjashme