Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar Ministrin e parë të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqin, në 19 vjetorin e vrasjes.
Duke folur për personalitetin shumëdimensional të tij, kryetari Mustafa ka thënë se Kolonel Ahmet Krasniqi ishte strategu më i madh ushtarak i luftës së fundit çlirimtare dhe një patriot i paepur i çështjes kombëtare.
Mesazhi i plotë përkujtimor i kryetarit Mustafa:
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Si sot 19 vjet me parë, përjetova një prej ngjarjeve më të rënda në jetën time, pasi që me sytë e mi e pash të vrarë pabesisht, në mes të Tiranës, Kolonel Ahmet Krasniqin, Ministrin e parë të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, njeriun që me vizion, me përkushtim kombëtar dhe me profesionalizëm të pashoq po e organizonte luftën për çlirimin e vendit dhe mbrojtjen e popullsisë në Kosovë.
Kam pas nderin e veçantë ta njoh personalisht Ahmetin, një personalitet që të bënte për vete, që rrezatonte dije shumëdimensionale, mirësi njerëzore, mençuri karakteristike dhe burrëri të trashëguar nga familja e tij atdhetare.
Diapazoni i gjerë i dijes dhe potenciali intelektual e bënin atë personalitet frymëzues, cilësi që ai i vuri në shërbim të plotë të unifikimit dhe motivimit të të gjithë njerëzve në rrugën e shenjtë të lirisë.
Kolonel Ahmet Krasniqi ishte strategu më i madh ushtarak i luftës së fundit çlirimtare dhe një patriot i paepur i çështjes kombëtare.
Ai u vra pas shpine aty ku më së paku e priste dhe ende askush nuk është vënë para drejtësisë për këtë krim të madh ndaj vendit.
Shteti shqiptar duhet ta zbardhë sa më parë se kush e vrau Kolonel Ahmet Krasniqin.
Ndërkaq, ne na mbetet që eshtrat e Kolonel Ahmet Krasniqit t’i varrosim në Prishtinë dhe që ai të përkujtohet përherë për kontributin kolosal për lirinë e vendit.
Lavdi të përjetshme jetës dhe veprës kombëtare të Kolonel Ahmet Krasniqit!