Në 20 vjetorin e vrasjes së avokatit Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij Kastrioti dhe Kushtrimi, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka përkutjuar ata përmes një komunikate për media.
Në komunikatë thuhet se janë bërë 20 vite kur regjimi kriminal serb i kidnapoi dhe më pas i ekzekutoi, avokatin më të dalluar të Kosovës Bajram Kelmendin dhe dy djemtë, Kastriotin dhe Kushtrimin.
Mustafa ka shkruar se Bajram Kelmendi ishte veprimtar i lirisë dhe pavarësisë në Kosovë. Ai ishte nismëtar i lëvizjes së njohur për pajtimin e gjaqeve.
“Bajrami në kohë të vështira bëri një punë kolosale, me fakte juridike punoi shumë për denoncimin e krimeve të luftës nga regjimi serb. Aktakuzat e para ndaj Sllobodan Millosheviqit dhe ofrimi i të gjitha fakteve për Tribunalin e Hagës ishte aktivitet i Bajram Kelmendit”, shkruhet në komunikatë.
Mustafa ka shkruar se Kelmendi la gjurmë të pashlyeshme si aktivist dhe kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
“Familja Kelmendi me veprën sublime dhe aktivitetin e tyre politik dhe atdhetar do të përkujtohen gjithmonë. Lavdi jetës dhe veprës së avokatit Bajram Kelmendi. Lavdi për djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin”, shkruhet në komunikatë.