Në 18 vjetorin e vrasjes së Ismet Rracit, kryetar i Degës së LDK-së dhe i Kuvendit të Komunës së Klinës, Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka kujtuar Rracin si njeri intelektual dhe shkrimtar me gjuhë të guximshme, shkruan EkonomiaOnline.
“18 vite më parë Klina dhe e tërë Kosova humbi atdhetarin e çmuar dhe të respektuar, njëherësh kryetar i Degës së LDK-së në Klinë, Ismet Rracin.
Ismet Rraci ishte shkrimtar me gjuhë të guximshme e të mprehtë që ngriti zërin kundër mizorëve të kohës së egër të viteve të ’90-ta. Ishte burrë i urtë, intelektual dhe mësues që qëndroi gjithnjë pranë nxënësve të tij dhe qytetarëve të Klinës duke përfshirë edhe periudhën e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën e mbështeti pa asnjë rezervë.
Presidenti Historik dr. Ibrahim Rugova kishte dënuar vrasjen e Ismet Rracit si të ‘drejtuar kundër lirisë, pavarësisë, paqes dhe demokracisë së Kosovës.’
Ismet Rraci gjithnjë do të kujtohet nga Lidhja Demokratike dhe nga të gjithë qytetarët e Kosovës për trimërinë, kontributin dhe atdhedashurinë e pafund.”