Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se ende nuk ka diçka konkrete sa i përket koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, derisa ka shtuar se pozita e kryeministrit është ajo që po e pamundëson marrëveshjen, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se akoma nuk ka ndonjë përgjigje, por se ata janë të përcaktuar që koalicioni të jetë i mundshëm.
Mustafa thotë se me Vetëvendosjen kanë ide të përbashkëta, por koalicioni bëhet vetëm në një ambient ku LDK do ta kishte kryeministrin, duke shtuar se çdo zgjidhje tjetër i dërgon në rrugën që të konkurrojnë veç e veç.
“Nuk kemi ndonjë çështje tjetër për të cilët ne nuk jemi pajtuar, por posti i kryeministrit është ai që po e zhagit këtë proces dhe po e pamundëson marrëveshjen. Ne duhet ta kemi timonin për një koalicion qeverisës”, ka thënë ai.
Ai tutje ka shtuar se nëse nuk do të kenë koalicion parazgjedhor, kanë lënë mundësi që koalicioni të bëhet pas zgjedhjeve.
“Në të gjitha bisedat kemi potencuar që nëse tani nuk mund ta bëjmë koalicionin ne duam të lëmë hapësirë për koalicion pas zgjedhjeve. Ne nuk duam partner tjetër pos VV-së, nuk do të bëjmë me askënd tjetër koalicion”, ka përfunduar Mustafa.
“Unë dje kam pasur një takim me Kurtin liderin e VV-së, kemi biseduar dhe kemi angazhuar edhe ekipet punuese në mënyrë që të shohim se çka mund të bëhet sa i përket ekipeve punuese, organizimit të Qeverisë edhe politikave themelore që ne si koalicion qeverisës do t’i kishim në të ardhmen, ka mbetë që ata të japin reflektimin e tyre lidhur me atë, akoma nuk kemi ndonjë përgjigje”, tha ai.
Mustafa tha se me VV-në kanë pika të përbashkëta, mirëpo pranoi se nuk heqin dorë nga pozita e kryeministrit.
“Natyrisht se ne jemi përcaktuar se koalicioni do të jetë i mundshëm por që ne vlerësojmë se është i mirë të bëhet sepse kemi pika të përbashkëta. Por, që ajo duhet të bëhet me një ambient që LDK duhet ta kishte kryeministrit për arsye vetëm në këtë mënyrë jemi të sigurtë që do të arrihet një program për të cilin kemi dëshiruar dhe kemi disponimin e an tërësisë të LDK-së, çdo zgjidhje tjetër na qon te ajo që të shkojmë veç e veç, të mbajmë relacionet që kemi ndërtuar këto dy vite dhe pas procesit zgjedhor pas 6 tetorit të ulemi të merremi vesh që qeverinë ta drejtojë ai që ka shumicën”, tha ai.