Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhjen e Qeverisë ka shprehur shqetësimin për ndalimin dhe procedurat që po zhvillohen ndaj liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt, i cili është ndaluar nga autoritetet franceze, në bazë të një fletarresti të motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi.
Ai ka thënë se presin që lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, të lirohet, duke e ditur se akuzat janë të pavlefshme dhe faktin se në dy raste e ka dëshmuar pafajësinë e tij.
“Aktet e ndalimit të Haradinajt, por dhe personaliteteve të tjera në Kosovë i konsiderojmë se janë akte të palejueshme, duke pasur parasysh edhe faktin se Haradianj e ka dëshmuar para drejtësisë ndërkombëtare në dy raste pafajësinë e tij dhe po ashtu është përballur edhe me ndalesa të tjera të përkohshme të cilat e kanë konfirmuar se fletarrestet serbe nuk kanë asnjë bazë”, ka thënë Mustafa.
“Andaj, ne presim që Haradinaj të kthehet shumë shpejt në Kosovë dhe po ashtu që edhe Qeveria franceze të ketë parasysh se këto fletarreste janë krejtësisht politike dhe nuk kanë asnjë bazë juridike dhe bazë ligjore”, ka theksuar ai.
Mustafa ka shtuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e gjithanshëm që aktakuzat e paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë ndaj personaliteteve kosovare, sa më parë të shpallen të pavlefshme.
“Në konsultim me autoritet brenda dhe jashtë vendi do të shqyrtojmë masat adekuate të veprimit në rast se Serbia, duke keqpërdorur mekanizmat ndërkombëtarë që merren me rend dhe ligj, do të vazhdojë aplikimin e këtyre kateve të palejueshme dhe të pamoralshme politike ndaj veprimtarëve dhe luftëtarëve për liri të Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Po ashtu kërkojë që organet kompetente të vazhdojnë të punojnë, në mënyrë që Haradinaj të kthehet, po ashtu të vazhdojnë që të kenë kontakte me bashkësinë ndërkombëtare, në mënyrë që të parandalohen veprimet e tilla serbe në të ardhmen.