Mustafa: Qeveria do të përkrahë prodhuesit e qumështit

Prishtinë | 15 Dhj 2016 | 16:35 | Nga

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në lansimin e fushatës “Promovimi i Qumështit të Freskët Vendor”, organizuar nga Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës dhe Shoqata e Qumështoreve të Kosovës.

Në këtë ceremoni, ku ishin pranishëm drejtori i Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, si dhe përfaqësues të dy shoqatave të qumështit, kryeministri Mustafa shprehu admirimin për punën e qumështarëve të Kosovës.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës shpreh admirimin për një punë të mrekullueshme që po e bëni ju në këtë fushë shumë të rëndësishme, sepse është një fushë, në të cilën ne po sigurojmë ushqimin për qytetarët tanë, po sigurojmë një produkt që është tepër i rëndësishëm për familjen, fëmijët, por me të cilën ne edhe mund të zëvendësojmë importin e këtyre produkteve nga vendet e tjera”, tha kryeministri.

Më tutje, kryeministri Mustafa tha se janë arritur rezultate inkurajuese në prodhimin e qumështit, sidomos të qumështit të freskët dhe se ka një aktivitet shumë të rëndësishëm të fermerëve, të shoqatave që merren qoftë me përpunimin, qoftë me përkrahjen e prodhimit të qumështit vendor.

Duke folur për përkrahjen e dhënë nga Qeveria përmes mjeteve financiare, kryeministri Mustafa, po ashtu ka shprehur përkrahjen e mëtejshme të Qeverisë përmes Ministrisë së Bujqësisë për sektorin e prodhimit të qumështit.

“Rezultatet dhe vlerat tregojnë se është investuar në një sektor tepër të rëndësishëm. Ne kemi interes që të afirmojmë qumështin e freskët në familjet tona, te fëmijët dhe qytetarët tanë. Kemi interes që maksimalisht të bëjmë përpjekje që të zëvendësojmë importet e qumështit me qumështin vendor, sepse është më cilësor, më i sigurt dhe më i pëlqyeshëm. Prandaj, kam ardhur që në emër të Republikës së Kosovës t’ju përkrahë për punën që bëni, të marr pjesë së bashku me ju në afirmimin e kësaj iniciative të prodhimit dhe konsumimit të qumështit të freskët dhe poashtu t’ju siguroj se do të bëjmë çdo gjë që përmes Ministrisë përkatëse dhe ministrive tjera, të përkrahim punën dhe aktivitetin tuaj, qoftë në prodhimin primar të qumështit, qoftë pastaj në përpunimin e mëtejmë të tij, sepse jemi të interesuar që edhe këtë sektor ta zhvillojmë në të ardhmen”, tha kryeministri.

zkp-003

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme