Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është shprehur i bindur se partitë opozitare brenda Kuvendit të Kosovës e kanë forcën për ta shkarkuar Qeverinë e re të Republikës së Kosovës e cila drejtohet nga Kryeministri Ramush Haradinaj.
Madje, një gjë të tillë i pari i LDK-së, konsideron se opozita mund ta bëjë qysh nesër, por siç u shpreh ai do të i dhënë afat kohor Kryeministrit Haradinaj për të parë mënyrën e qeverisjes së vendit.
“Do të kenë kohë tre muaj për të treguar se si do të qeverisin me vendin, por ne mund ta rrëzojmë këtë qeveri edhe më herët se 100 ditë” , u shpreh Mustafa.
Mustafa, po ashtu e ka lenë të hapur mundësinë për ndonjë koalicion të mundshëm me VV-në ose me AAK-në në zgjedhjet e sivjetme lokale.
Por, një koalicion i tillë që i takon nivelit lokal sipas liderit të LDK-së nuk do të ndikojë në qëndrimet e partisë që ai e drejton karshi koalicionit qeverisës, në atë mënyrë që të ketë bashkëpunim.
“Mund të bëjmë koalicion me Vetëvendosjen por edhe me Aleancën, aty ku na konvenon, por kjo më pas nuk do të ndikojë në qëndrimet tona ndaj koalicionit PANA”, tha ai.