Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është deklaruar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cili shpalli jokushtetues Ligjin për Dialogun dhe Ekipin e Dialogut me Serbinë, raporton Ekonomia Online.
Mustafa thotë se Qeveria shkeli Kushtetutën duke e aprovuar Projektligjin me përmbajtje jokushtetuese të sponzorizuar nga PSD-ja.
Ai thotë se Qeveria dhe Kuvendi duhet të dorëhiqen pas këtij vendimi, ashtu siç kanë bërë më herët dy Presidentët kur është konstatuar se kanë bërë shkelje të Kushtetutës.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë
Gjykata Kushtetuese foli. Shpalli jokushtetues në tërësinë e tij Ligjin për dialogun. Shpalli jokushtetues Ekipin e Dialogut.
Ekipi, pa e pritur hyrjen në fuqi të Ligjit, i cili u kontestua nga LDK dhe VV, ushtroi veprime jokushtetuese në procesin e dialogut me para të Buxhetit. Kryeministri, në mënyrë jokushtetuese, i kishte deleguar përgjegjësitë e tij për dialogun.
Qeveria shkeli Kushtetutën duke e aprovuar Projektligjin me përmbajtje jokushtetuese të sponzorizuar nga PSD. Kuvendi shkeli Kushtetutën duke e miratuar një Ligj jokushtetues, të propozuar nga Qeveria.
Janë këto shkelje të Kushtetutës në proporcione gjeometrike nga koalicioni PAN.
Dy presidentë tanë kanë dhënë dorëheqje kur është konstatuar shkelje e Kushtetutës. Tani radhën e ka kjo Qeveri dhe ky Kuvend. Duhet të pajtohemi se nuk lejohet që Kosovën ta drejtojnë shkelësit e Kushtetutës. IM