Drejtori i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, ka rrëfyer për sulmin fizik i cili ndodhi ndaj tij ditën e sotme nga dy policë.
Ai ka treguar se me personat që e kanë sulmuar, nuk ka pasur asnjë problem. Thotë se ka mbetur i shokuar nga sulmi i sotëm.
Në një konferencë të thirrur për medie në orët e mbrëmjes, Mustafa ka rrëfyer ngjarjen si ka ndodhur.
“Në vend se të takohemi për festë, më është dashur t’ju thërras për sulmin ndaj meje që ka ndodhur sot rreth orës 13, në qendër të qytetit. Aty ku rri gjithmonë. Polici i njohur si ‘Tarkani’ pa pritur thërret shoqëruesin tim, në tentim të përshëndetjes me të. Fjala e parë e tij ishte e sharë dhe menjëherë me sulmoi me grusht. Pastaj më rrëzoi dhe shkelmoi. Duke u ngritur vërehet në video ku personi tjetër, Nazim Sahiti, person me të cilin nuk kam pasur probleme, largon personin tjetër me të cilin isha duke i lejuar ‘Tarkanit’ të më sulmoj mua. Kur kam kthyer kokën kam thënë, ‘Nazim, ti je a?’ Ai më shau dhe më tha hup”.
“Kam qenë i shoqëruar nga mbrojtja e afërt tash e sa muaj, por nuk kam pasur probleme me asnjë zyrtar policor e lëre më me dikë në krye të hierarkisë së Policisë”.
“Fakti që më bind se gjithçka ka qenë e organizuar është qëndrimi i një polici në uniforme brenda lokalit duke mos reaguar”, ka thënë Mustafa
Ai ka theksuar se nuk është e vërtetë se ka dashur të ikë se kanë dashur ta arrestojnë, sikur kanë deklaruar dy policët.
Mustafa tha se nuk është frikësuar dhe se do të vazhdojë punën.
“Nuk do të zmbrapsem para tyre e askujt tjetër. Po shqetësohem sesi dy zyrtarë policorë sulmojnë drejtorin e PTK-së, jo Agron Mustafën, por drejtorin e PTK-së. E kanë të kotë nëse mendojnë se më kanë frikësuar. E shoh si paralajmërim të fundit që institucionet e vendit të merren me Tarkanin e Nazim Sahitin”, u shpreh ai.