Mustafa: Rritja ekonomike arriti në 4%, nuk zbuti papunësinë

Prishtinë | 14 Tet 2016 | 13:02 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rritja ekonomike sivjet ka shënuar shkallën prej 4 për qind, që është më e larta krahasuar me vendet e rajonit. Por, kjo rritje nuk ka ndihmuar në zbutjen e papunësisë tek të rinjtë dhe gratë.

Kështu ka thënë kryetari i partisë dhe kryeministër i vendit, Isa Mustafa, në Forumin e Gruas së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), që mbajti konferencën “Politikat  e Qeverisë për avancimin e statusit të gruas në shoqëri”, në kuadër të aktiviteteve për zgjedhjet në Forumin e Gruas së LDK-së. Në këtë forum të pranishëm ishin ministra, shefi i grupit parlamentar, deputetë dhe anëtarë tjerë të LDK-së.

Mustafa ka theksuar se janë munduar që gjatë qeverisjes të bëjnë një balancim gjinor duke bërë kështu një përfshirje më të madhe se zakonisht të gruas në qeverisje qendrore dhe në atë lokale.

“Këtë vit kemi një rritje më të madhe të buxhetit, me 4% kurse para dy viteve rritja e buxhetit të shtetit ishte vetëm 0.9%. Kjo është rritja më e larta krahasuar me vendet e rajonit. Por kjo rritje nuk ndihmon që të zbusim papunësinë e gruas dhe të rinjve”, u shpreh kryeministri Mustafa.

Kryetarja e këtij forumi, Lirie Kajtazi, ka thënë që forumi gruas së bashku me forumin e rinis të LDK-së jemi të interesuar në zhvillim ekonomik, pasi që kjo është edhe synim edhe i qeverisjes së kryeministrit Isa Mustafa.

“Ne së bashku me forumin e rinis të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kemi synim rritjen e zhvillimit ekonomik. Kjo është edhe synim i qeverisjes së kryeministrit Mustafa. Jemi duke punuar edhe për zgjedhjet të cilat do jenë në vitin 2017”, ka thënë Kajtazi gjatë fjalimit të saj.

Hykmete Bajrami, e cila udhëheq Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tha se vetëm në këtë nëntëmujor të këtij viti janë regjistruar 24.4% e grave në biznese.

“Kjo mund të doket një shifër modeste, por nëse bëjmë një krahasim me vitin 2014 është një numër shumë i madh. MTI gjatë këtyre dy viteve ka qenë avokat i sektorit privat, gjatë kësaj periudhe kemi pasur edhe mbështetjen e kryeministrit. Po vendosim një shembull të mirë të qeverisjes të një gruaje kemi punuar në eliminimin e burokracisë”, ka shprehur Bajrami.

Duke treguar se cilat janë të arriturat e grave të LDK-së në qeverisjen qendrore, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, e motivoi forumin e gruas duke iu thënë të mos dorëzohen.

“Forumi Rinisë së bashku me Forumin e Gruas do të jenë të gatshëm, dhe të sjellin edhe individ të rinj në parti. Kemi nevojë për mbështetjen e të gjithë juve”, ka thënë Beqiri.

Lidhja Demokratike e Kosovës, këtë vit feston 27 vjetorin e themelimit të saj.

forumi-i-gruas-ldk

Të ngjashme