Mustafa s’e lëshon “timonin” e LDK-së

Prishtinë | 12 Maj 2017 | 09:24 | Nga

Edhe pas rrëzimit të Qeverisë që e ka drejtuar për më shumë se dy vjet Isa Mustafa nuk do ta lëshojë “timonin” e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Ky subjekt politik do të shkojë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, duke e prezantuar edhe njëherë Mustafën si kandidat për kryeministër të vendit.

Mustafa ka shprehur gatishmërinë e subjektit të tij politik për zgjedhje, por duke hedhur poshtë mundësinë që të bëjë koalicion me PDK-në e Kadri Veselit, e cila i ndihmoi opozitës të mërkurën që ta rrëzojë Qeverinë.

“Prishja e koalicionit që lamë pas ishte një veprim i njëanshëm i PDK-së, një thyerje e marrëveshjes sonë. Ne nuk e shohim fare se në këtë është dëmtuar LDK-ja, por e shohim se është dëmtuar vendi për arsye se është krijuar një vakum në të cilin do të pësojnë shumë fusha”, ka thënë Mustafa.

Kryeministri në largim tashmë e ka të qartë me kë dëshiron të bëjë koalicion.

“Për koalicione nuk kemi vendosur me kënd, por kemi lënë hapësirën që tani të diskutojmë, të shohim se me cilat parti do të gjejmë gjuhë të përbashkët, interesim të përbashkët, jemi të hapur edhe për koalicione parazgjedhore. Në ato lista nuk është PDK-ja”, ka shtuar Mustafa.

Hyseni: Deklaratat për largim të Mustafës, spekulime

Kreu i LDK-së më tej ka njoftuar se subjekti që ai përfaqëson do t’i fillojë përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme.

“Ne e thirrëm sot kryesinë dhe kryetarët për t’i bërë përgatitjet për zgjedhje, u morëm vesh për agjendat edhe të informimit, edhe të punës në terren. Me kryetarë të degëve po ashtu u morëm vesh që ata t’i bëjnë komisionet zgjedhore, t’i përgatisin propozimet për deputetë të cilët do t’i marrin nga degët shpejt, sepse nuk ka kohë që të presim për arsye se agjenda e Komisionit Qendror Zgjedhor është shumë e ngjeshur”, ka thënë Mustafa.

Edhe nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, i ka hedhur poshtë pretendimet se Isa Mustafa do të largohet nga drejtimi i këtij subjekti. Ai ka siguruar se Mustafa do të jetë në krye të LDK-së deri në Kuvendin e ardhshëm Zgjedhor të LDK-së.

“Isa Mustafa është kryetar i LDK-së, deri në Kuvendin e ardhshëm të LDK-së”, ka thënë Veliu.

Njëjtë me Veliun është shprehur edhe Skender Hyseni, i cili i ka quajtur spekulime deklaratat për largim të Mustafës nga drejtimi i LDK-së.

“Këto janë spekulime eklatante të shkëlqyera, fantastike, fantastikë-shkencorë”, ka thënë Hyseni.

Derisa deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, mendon se në këtë fazë gjërat duhet analizuar mirë. Sipas tij, për reformimin e partisë vendosin vetëm strukturat e larta të saj.

“Tani mendojmë se është një proces i ngushtë, edhe mendoj se gjërat duhet të analizohen shumë mirë. Për ato çështje institucionet e partisë vendosin”, ka thënë Bulliqi.

Analistët: Ka humbje kredibiliteti

Në anën tjetër Artan Murati nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se edhe pas prishjes së koalicionit qeverisës anëtarët e LDK-së nuk e kanë humbur besimin ndaj kreut të tyre.

“Mendoj se nuk kemi të bëjmë me humbje kredibiliteti, pasi që vendimi për të hyrë në koalicion me PDK-në është marrë nga këshilli drejtues i partisë, e jo individualisht nga z. Mustafa”, ka thënë Murati. Duke thënë se zërat kritikë brenda partisë nuk kanë të bëjnë me një mosbesim karshi Mustafës.

“Z. Mustafa ka mjaft zëra kritikë brenda partisë së tij, të njëjtit që nuk e përkrahën idenë e koalicionit me PDK-në dhe nuk e votuan atë personalisht për ta marrë timonin e Qeverisë. Megjithatë, unë konsideroj se nuk kemi të bëjmë me humbje kredibiliteti, pasi që vendimi është marrë nga partia”, ka shtuar Murati.

Më tej ai cek se LDK-ja duhet të inkuadrojë brenda vetes struktura të reja.

“Sa i përket reformës, secila parti në vend ka nevojë të reformohet, duke përfshirë këtu LDK-në. LDK-ja duhet t’i hapë dyert për kuadro të reja dhe t’i ofrojë elektoratit të vet freski, pasi që dihet se kjo parti është partia më e vjetër në vend dhe njëra ndër partitë më të organizuara në nivel të degëve dhe nëndegëve të saj.”, ka përfunduar Murati.

Edhe njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, mendon se edhe pavarësisht koalicionit LDK-ja vazhdon ta ketë besimin e votuesit.

“Deri më tani nuk ka pasur zëra brenda LDK-së që e kanë kontestuar lidershipin e Mustafës. Votuesi i LDK-së përgjithësisht është besnik ndaj partisë dhe përkundër pakënaqësive që mund t’i ketë pasur për koalicionin, vështirë se shkon diku tjetër (ndoshta një pjesë e vogël)”, ka thënë Maliqi.

Sipas tij, në kohë fushate përçarjet e së kaluarës shpesh harrohen.

“Kryeministri dhe LDK-ja qysh dje filluan ta ndërtojnë narracionin, të drejtuar kryesisht ndaj bazës se ata me koalicionin e madh kishin synuar dobësimin e PDK-së dhe se kjo ishte arsyeja e prishjes së koalicionit”, ka përfunduar Maliqi.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme