Mustafa: Serbia t’i hapë dosjet për të zhdukurit

Prishtinë | 30 Gus 2017 | 11:46 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë presioni mbi Serbinë që t’i hapë të gjitha dosjet dhe arkivat, në mënyrë që të zbardhet fati i shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës, raporton Ekonomia Online.

Pasi ka vendosur lule pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur, Mustafa tha se Qeveria e Kosovës është munduar të bëjë dhe duhet të bëjë çdo gjë që të zbardhet fati i të pagjeturve, që t’ju ndihmohet familjeve që të kenë informata.

“Duhet të bëhet çdo gjë edhe në Bruksel dhe në kontakte tjera me partnerët ndërkombëtar që të detyrohet Serbia t’i hapë të gjitha dosjet dhe të gjitha arkivat, në mënyrë që të merren informata të caktuara për t’u identifikuar se ku janë njerëzit tanë që për këtë periudhë kohore ende nuk u identifikuan se ku janë”, ka thënë Mustafa.

Ai shprehu admirim për punën që po bëjnë familjarët dhe përkushtimin e tyre, por edhe besimin e madh se megjithatë ky proces do të zbardhet dhe ata do të marrin informata për të afërmit e tyre.

“Është një moment ku është vështirë të shprehesh. Është fjala për të pagjeturit tanë, për njerëzit që i presin familjet e tyre, për ankthin që ende po jeton te prindërit, te familjet, te të afërmit e atyre që nuk u gjetën gjatë këtyre shumë vjetëve”.

Bajram Qerkinaj, nga shoqata për të pagjeturit “Zëri i Prindërve” në Mitrovicë, u shpreh i pakënaqur me numrin e paktë të familjarëve që kishin dalë në sheshin “Skënderbeu” për të kërkuar zbardhjen e fatit të të pagjeturve në Kosovë. Ai kritikoi dhe shtetin se nuk ka bërë sa duhet.

“Punët kanë stagnuar… Sikur të ishin më këmbëngulës krerët e Republikës të Kosovës të cilët e udhëheqin këtë Kosovë dhe na përfaqësojnë në çdo vend e në çdo diskutim që është, kishte me qenë puna më mirë”, tha Qerkini.

Ai kërkoi që Qeveria e re ta ketë prioritet nxjerrjen e një ligji për të pagjeturit. “Duhet të respektohet kërkesa e familjarëve”, u shpreh ai.

30 gushti është Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve, dhe ne këtë ditë janë organizuar disa aktivitete, derisa personalitet vendore kanë bërë homazhe tek përmendorja e vendosur pranë Kuvendit të Kosovës, për të zhdukurit.

 

Kryeministri Mustafa: Qeveria e përkushtuar për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Të ngjashme