Kreu i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se shkarkimi i Agim Velit, nga pozita e ministrit të Brendshëm, nga kryeministri Albin Kurti është akt i papranueshëm për këtë parti, raporton Ekonomia Online.
Mustafa pas takimit urgjent në parti, shtoi se partia që udhëheq do të mbajë mbledhje të Kryesisë për të marrë vendim edhe për të ardhmen e koalicionit qeverisës.
Mbledhja e LDK-së, ka sqaruar ai do të mbahet nga ora 18:00.
“Vendimi për shkarkimin e zoti Veliut është i papranueshëm për neve dhe si e tillë ne do ta mbajmë mbledhjen e Kryesisë së LDK-së”.
“Në ora 18:00 do ta mbajmë mbledhjen e Kryesisë”.
Kryeministri Albin Kurti ka shkarkuar ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, gjatë së mërkurës.
Zyra e kryeministrit të Kosovës, përmes një kumtese për medie, thotë se mbrëmë vonë, pas mesnate, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, është deklaruar kundër qëndrimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Kurse Veliu ka thënë se nuk është i njoftuar rreth vendimit të Albin Kurtit për shkarkimin e tij.
“Paska ardhur komunikata te ju ma përpara. Jo nuk jam njoftuar. Qysh e keni pa ju e kam pa edhe unë. Nuk kam kurrfarë vendimi, kështu që nuk e di si me e komentu”, ka thënë Veliu për Kohën.
Sipas Veliut, kjo formë nuk është e duhura, pasi që “do të duhej të kishte një njoftim paraprak edhe koalicioni, në mënyrë që pastaj të procedohej me vendime të tilla”.
Veliu ka thënë se koalicioni qeverisës është edhe ashtu i rrezikuar.