Kryeministri në largim, Isa Mustafa, ka paralajmëruar se deputetët e partisë së tij – LDK, nuk do t’i votojnë ligjet dhe aktet e tjera që do t’i sjellë në Kuvend Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj.
“Ne nuk do t’i votojmë aktet që kjo qeveri do të sjellë në Kuvend, sepse ne konsiderojmë se kjo qeveri është fragjile”, tha Mustafa.
Ai i bëri komentet të premten pas mbledhjes së Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Përveç kësaj, kreu i LDK-së tha se Qeveria që po ndërtohet nga PAN dhe Srpska është tejet e dyshimtë. Sipas tij, kjo do të jetë një qeveri e varur tërësisht nga Lista Serbe dhe Beogradi.
“Kemi të bëjmë me një Qeveri, e cila po ndërtohet në baza krejtësisht të dyshuara sa i përket ligjit dhe për të cilën pastaj do të jetë problem shumë i madh se si do ta realizojë ligjin dhe si do ta qeverisë vendin”, tha Mustafa.
Ai ka thënë se Qeveria e re duhet të qartësojnë sa më parë çështjen e liberalizimit të vizave, transformimin e FSK-së dhe dialogun me Serbinë.
Sa i përket demarkacionit, Mustafa tha se do të donte që të votohet një demarkacion që e përcakton kufirin në Çakorr. Por, u shpreh skeptik se Haradinaj do t’iu qëndrojë besnik qëndrimeve kundërshtuese për vijën kufitare me Malin e Zi.
Mustafa ka deklaruar se opozitën në Kuvend do të bëjnë vetë, kur është pyetur se a do të bashkëpunojnë me Lëvizjen Vetëvendosje. “Opozitën do ta bëjmë vetë pa Vetëvendosjen dhe asnjëherë në mënyra të dhunshme. Do të bëjnë opozitarizëm me mjete demokratike, me argumente”, tha Mustafa, raporton EO.
Koalicioni PAN-AKR i pazareve të ulëta
Isa Mustafa ka folur edhe për largimin e AKR-së së Behgjet Pacollit nga koalicioni LAA dhe bashkimin më pas me PAN-in.
Mustafa tha se vendimi i Pacollit nuk i kontribuon vendit. Ai tha se ky koalicion është bërë mbi bazën e pazareve, mbi bazën e ndërmjetësueseve, sekserëve, ofrimit të ministrive. “Ky është koalicion i pazareve të ulëta”, u shpreh ai.
“Ata që i thyejnë marrëveshjet ata i shkelin parimet e tyre, ata nuk i kanë kontribuar vendit, kanë bërë gabim. Unë i kam thënë edhe z.Pacollit që nuk duhet të bëhet koalicion me PDK, sepse po të ishte mirë do të hynim edhe ne”, tha Mustafa.
Mustafa: Ju siguroj se kurrë nuk do të bëjmë koalicion me PDK-në
Kreu i LDK-së i është përgjigjur edhe deklaratave të deputetit të Nismës, Milaim Zeka, se Qeveria Haradinaj do të roformatohet pas zgjedhjeve komunale dhe se do të përfshihet edhe LDK-ja.
“Ne jemi marrë vesh ta luajmë rolin e opozitës në interes të Kosovës. Të kota janë thëniet e njerëzve nga PDK ja se ne mund të bëjmë koalicion pas zgjedhjeve lokale me PDK në. Ky koalicion iu siguroj se nuk do të ndodhë kurrë”.
“Mund të ndodhin marrëveshje vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme nacionale dhe kurrsesi me këto rezultate të zgjedhjeve nacionale dhe me këtë sjellje të PDK-së me rastin e shprehjes dhe mosbesimit ndaj qeverisë që ne kemi drejtuar”, tha Mustafa.