Mustafa sqaron se nuk e ka ftuar Haradinajn në takim

Prishtinë | 19 Gus 2019 | 22:37 | Nga Ekonomia Online

Gjatë ditës së sotme, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është takuar me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, dhe kryetarin e PSD-së, Shpend Ahmeti.

Më herët gjatë ditës kryeministri i dorëhequr, Ramush Haradinaj, deklaroi se nuk ka kohë për takim me LDK-në, pasi është shumë i zënë me punë e detyra.

“Tash jam i nxanun po e shihni me detyra me punë. Nuk kam kundër me taku por duhet me i kry këto punë qe i kam”, ka thënë Haradinaj në një prononcim për media pas mbledhjes së Këshillit drejtues të AAK-së.

Megjithatë, Mustafa në shkrimin e tij në Facebook bën të ditur se në takimet e sotme ka ftuar vetëm liderët e Nismës dhe PSD-së me të cilët edhe është takuar, duke lënë të nënkuptohet se nuk e ka ftuar kryeministrin e dorëhequr.

POSTIMI I PLOTË:

Miq të nderuar
Sot bisedova, në takime të ndara, me z. Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate dhe me z. Shpend Ahmeti, kryetar i PSD-së.
Takimet e tilla, konsideroj se, janë të dobishme për të vlerësuar bashkërisht momentet që po kalon vendi ynë, pa marrë parasysh kalkulimet partiake për zgjedhjet e ardhshme.
Dua të sqaroj se për ditën e sotme, ftesë për takim iu kam bërë liderëve të kêtyre dy subjekteve, me të cilët edhe jam takuar.
Kemi nevojë të ndërtojmë një kulturë komunikimi si shprehje e kulturës tonë demokratike. IM

Të ngjashme