Mustafa: Studimi i bashkëmendimtarëve të Albin Kurtit është manipulim

Prishtinë | 05 Dhj 2020 | 17:56 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka cilësuar manipulim një studim që ishte prezantuar në Parlamentin Evropian, e që thoshte se fenomeni i dezinformimit në Kosovë kishte pasur ndikime të drejtpërdrejta që çuan edhe në rënien e Qeverisë së Albin Kurtit.

Në një reagim për këtë studim, Mustafa ka thënë se do të kërkojë nga Partitë Popullore Evropiane sqarimet e nevojshme “për ta hedhur poshtë këtë ‘studim’ tendencioz dhe të motivuar ideologjikisht ndaj LDK-së”.

“‘Studimi’ i bashkëmendimtarëve të Albin Kurtit është manipulim! Disa bashkëmendimtarë të majtë evropianë të tashmë forcës kryesore politike të së majtës në Kosovë (Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit), në një ‘studim’ që paskan bërë për efektin e lajmeve të rreme në politikëbërje, përfshirë edhe Kosovën, më paska “akuzuar” si prodhues të lajmeve të rreme me qëllim rrëzimin e qeverisë së koalicionit ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së!” ka shkruar ai në Facebook.

Mustafa ka thënë se LDK-ja i kishte dhënë “shans Vetëvendosjes për të punuar bashkërisht për të mirën e Kosovës”.

Megjithatë, sipas Mustafës, LDK-ja s’mund të duronte nëpërkëmbjen e saj.

“Vetëvendosje, përveç që tentoi ta keqpërdorte partneritetin dhe konstruktivitetin e LDK-së, duke u kthyer në shtratin e saj ideologjik dhe gjenezën izolacioniste, filloi ta rrezikonte partneritetin e Kosovës me aleatët e saj kryesorë, para se gjithash me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. LDK-ja nuk mund të duronte nëpërkëmbjen e saj nga një parti tjetër dhe taman puna të rrinte duke e soditur Vetëvendosjen teksa po shkarkonte ministra të LDK-së duke e shkelur marrëveshjen dhe po rrezikonte partneritetin e Kosovës me SHBA-të! Prandaj, LDK-ja reagoi. Dhe do të reagoj ndaj kujtdo në Kosovë që e quan veten aq të rëndësishëm e të fortë sa të shpërfillë thirrjet telefonike nga Shtëpia e Bardhë e Departamenti Amerikan i Shtetit. Që organizon fushata denigruese ndaj zyrtarëve amerikanë dhe Shtëpinë e Bardhë e portretizon si një vend ku copëtohet Kosova”, ka vazhduar ai.

Në fund Mustafa ka thënë se pret që ky studim “do të përfundojë si një përpjekje e dëshpëruar për manipulimin e së vërtetës”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme