Mustafa kërkon mobilizimin e deputetëve të LDK-së për demarkacionin

Prishtinë | 10 Gus 2016 | 16:37 | Nga

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh kryeministër i vendit, Isa Mustafa, po mban një takim me dyer të mbyllura me Kryesinë e LDK-së.

Në këtë takim që po mbahet në një nga sallat e “Orionit” në Prishtinë, të pranishëm janë edhe kryetarët e degëve dhe anëtarë të tjerë.

Sipas burimeve të Ekonomia Online, Mustafa në këtë takim po kërkon mobilizimin e deputetëve të LDK-së për të votuar ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Kjo, pasi te disa deputetë ka hezitim për ta votuar ratifikimin.

Takimi vjen pasi më herët gjatë ditës, Kryesia e Kuvendit vendosi që me datë 1 shtator të mbahet seanca plenare e radhës për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi.

Më herët, edhe Partia Demokratike e Kosovës mbajti takim, me ç’rast i dha përkrahje unanimisht ratifikimit të Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror Kosovë-Malit të Zi, sipas një komunikate shtypi.

Kryeministri Mustafa, më 1 shtator, do të paraqitet edhe në dy interpelanca në Parlament: në lidhje me Kodin Telefonik Shtetëror dhe për situatën aktuale politike në pjesën veriore të vendit; që të dyja me kërkesën e deputetëve të Vetëvendosjes. Pas kësaj, në vazhdim do të shqyrtohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror Kosovë – Mali i Zi.

Kryesia dhe degët e LDK-së përkrahin ratifikimin e Demarkacionit

ldk

Kryesia dhe kryetarët e degëve të LDK-së përkrahin ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi

Sot u mbajt takimi i përbashkët i Kryesisë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetarëve të degëve të LDK-së, ku temë ishte procesi shtetëror i shënjimit të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Këto dy struktura, Kryesia e LDK-së dhe forumi i Kryetarëve të Degëve të LDK-së, sipas komunikatës së dërguar nga LDK, shprehën përkrahje të plotë për adresimin e kësaj çështje në Kuvend dhe ratifikimin e saj nga deputetët e LDK-së.

“Ishte qëndrim i përbashkët se ky proces, i argumentuar dhe i përkrahur fuqishëm edhe nga miqtë ndërkombëtar, i hap rrugë proceseve eurointegruese, liberalizmit të vizave, transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur, fuqizon shtetësinë dhe sovranitetin territorial të Kosovës, forcon partneritetin dhe miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e BE-së”, thuhet në një komunikatë të lëshuar pas takimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme