Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur në takim përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.
Në fillim të takimit mediet janë lejuar të marrin pamje, ndërsa deklarime për media do të ketë pas takimit.
Mogherini po qëndron sot për vizitë në Kosovë, ajo më herët është takuar me presidentin e vendit, Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli, raporton Ekonomia Online.
Përpos në Prishtinë ku edhe do të takohet me autoritetet politike dhe udhëheqësit e partive politike parlamentare duke përfshirë edhe ato opozitare Mogherini do të qëndrojë edhe në Mitrovicë.
Vizita e Mogherinit vjen në kohën e zhvillimeve tjera politike në Kosovë, siç janë paqartësitë rreth ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, si kusht i Kosovës për t’u përfshirë në liberalizimin e vizave.
Mogherini është ndërmjetësuese edhe në procesin e bisedimeve Prishtinë – Beograd, dhe pritet që ajo të adresojë edhe çështjen e marrëveshjeve të Kosovës me Serbinë në procesin e dialogut të Brukselit. Vizita e Mogherinit në Kosovë po realizohet në kuadër të një turni që ajo po zhvillon në rajonin e Ballkanit.
Foto: Ekonomia Online