Gjatë ditës së sotme, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa vizitoi Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Londër ku pati një takim me Presidentin e Bankës, Sir Suma Chakrabarti. Të pranishëm ishin edhe anëtarët e Qeverisë së Kosovës, ministrat Avdullah Hoti dhe Memli Krasniqi, dhe menaxhmenti i lartë i BERZH, ku me ç`rast diskutuan aktivitetet e Bankës në vend.
Kosova është bërë pjesëtare e BERZH si dhe vend i operacioneve në dhjetor të vitit 2012. Deri më tani, BERZH ka investuar në 50 projekte në Kosovë, që arrijnë një shumë prej më tepër se 200 milionë €. Në tetor të vitit 2016, Bordi i Drejtorëve të BERZH ka miratuar strategjinë e re të vendit për punën e kësaj Banke në Kosovë me tri prioritete që mbështesin zhvillimin e konkurrueshmërisë në sektorin privat, përmirësimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së furnizimit me energji dhe mbështetjen e konektivitetit dhe integrimit rajonal.
Para miratimit të strategjisë së re për vendin, Presidenti i BERZH, Chakrabarti vizitoi Kosovën në qershor të vitit 2016, në vazhdën e një turneu më të gjerë në Ballkanin Perëndimor. Në muajin shkurt të këtij viti, Kryeministri Mustafa përcolli Samitin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor në BERZH.
Presidenti Chakrabarti e mirëpriti mundësinë që të takohet sot me Kryeministrin dhe delegacionin e lartë qeveritar nga Kosova, ku edhe tha: “Ne jemi të gatshëm që të thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin me Kosovën. Jemi fuqimisht të përkushtuar që ta mbështesim zhvillimin e sektorit privat në një bazë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, si dhe integrimin rajonal të vendit. Vetëm gjatë këtij viti unë e kam vizituar Ballkanin Perëndimor dy herë dhe ajo çfarë pashë ishte inkurajuese. Tani kemi një përpjekje të vërtetë reformuese dhe BERZH është e gatshme të ofrojë ndihmën e saj me investime dhe dialog politik.”
Kryeministri Mustafa shtoi: “BERZH-i është duke mbështetur zhvillimin ekonomik të Kosovës, si dhe zbatimin e shumë projekteve. Sot, ne kemi marrë mbështetje konkrete nga Presidenti Chakrabarti për projekte të cilat janë të parapara në prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe do të kenë ndikim në përmirësimin e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik dhe avancimin e cilësisë së jetës së njerëzve. Qeveria e Kosovës mirëpret strategjinë e re të BERZH-it për Kosovën dhe pret përfshirje më të madhe të BERZH-it në mbështetjen e sektorit privat, sidomos tani pas vlerësimit pozitiv nga ana e Bankës Botërore për kushtet e të bërit biznes në Kosovë”.
Delegacioni i Kosovës do të shfrytëzojë vizitën në Londër për diskutim të detajuar me përfaqësuesit e menaxhmentit të BERZH-it dhe për të diskutuar për projekte konkrete.
Gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë, Presidenti Chakrabarti nënshkroi dy marrëveshje me bankat lokale, të dyja me qëllim të asistimit të bizneseve lokale të sektorit privat, që është një nga prioritetet e Bankës. Operacionet e BERZH-it në Kosovë kryesohen nga Elena Petrovska, e cila iu bashkua Presidentit dhe Kryeministrit në mbledhjen e sotme.