Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, bëri homazhe pranë varrit të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe varrezave të Familjes Jashari në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në kuadër të manifestimit për shënimin e 19-vjetorit të “Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
I shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi e Ramiz Kelmendi dhe ministrat e kabinetit qeveritar, kryeministri Mustafa ka përkujtuar trimërinë dhe sakrificën më të madhe që një familje shqiptare ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Jemi së bashku me kabinetin qeveritar për të bërë nderime tek heronjtë e familjes Jashari. Ne të gjithë vlerësojmë se vepra heroike e Komandantit Legjendar Adem Jashari, e Shaban dhe Hamëz Jasharit, e familjes Jashari, janë vepra të cilat kapërcejnë kornizat e historive të flijimit të tillë për liri të vendit dhe për mbrojtje të pragut të shtëpisë. Është vepër, që meriton respekt të veçantë te të gjithë ne dhe para së cilës ne përkulemi të gjithë”, tha kryeministri Mustafa.