Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, u ka bërë thirrje për kujdes kandidatëve nga partia e tij që do të garojnë në balotazhin e 19 nëntorit se mund t’u montohet ndonjë rast nga anëtarët e Vetëvendosjes në prag të votimit.
“Duken të rinj me moshë, por metodat i kanë më të vjetra se të ktynehershit”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në “Facebook”.
Kreu i LDK-së ka përmendur dy raste që sipas tij e dëmtuan LDK-në dhe vetë atë në zgjedhjet e kaluara lokale, të cilat i kishte humbur përballë kandidatit të Vetëvendosjes. Shpend Ahmetit.
Isa Mustafa akuzon Vetëvendosjen se i kishte vendosur kamerat dhe mikrofonët e msheftë një aktivisti të tyre, i cili kishte takuar njerëz të LDK-së dhe iu ishte ofruar se do të kalojë në LDK.
“Kishin gjetur rrugë për të organizuar një kafe me djalin tim dhe ia montuan se ai i kishte ofruar tenderë, punësime dhe lloj-lloj shërbime të tjera”, ka shkruar Mustafa, duke theksuar se kjo ishte bërë më 28 nëntor 2013, një ditë para heshtjes zgjedhore dhe ishte transmetuar në televizione e portale.
Po ashtu, ai ka përmendur rastin e “skandalit” për kinse blerjen nga ai të një shtëpie në Gjermani me paratë e 3 përqindëshit, e që kishte dalë që personi të jetë një iranian me të njëjtin emër e mbiemër.
“Janë këto dy raste, prej një morie rastesh dhe tentimesh për të më dëmtuar dhe degraduar publikisht. Por, më brengosë se askush nuk barti përgjegjësi për gënjeshtra të tilla”, ka theksuar Isa Mustafa.
Këso gënjeshtrash mund t’u montohen edhe kandidatëve për kryetarë të komunave, ka shtuar ish-kryeministri.
“Prandaj, Arban, Agim, Haki, Lutë, Muharrem, Salih… dhe ekipe të juaja, kujdes! Këta ua montojnë ndonjë rast. Duken të rinj me moshë, por metodat i kanë më të vjetra se të ktynehershit”, ka përfunduar ai. (Kallxo.com)