Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Ekrem Mustafa, ka vazhduar raportimin në Komisionin për Integrime Evropiane lidhur me zbatimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit (PKZMSA) dhe Agjendës për Reforma Evropiane (ERA), raporton Ekonomia Online.
Gjatë raportimit ai është përgjigjur për çështje të ndryshme.
Mustafa ka thënë se nuk ka ndërhyrje politike në policinë e Kosovës, për çka është shprehur i gatshëm të jap dorëheqje në rast se është ndryshe.
“Atë moment që dikush interferon në punën time unë haptazi para jush jap dorëheqje. Në bazë të gjitha kompetencave kam me u mundu me e mbrojt policinë prej ndërhyrjeve politike”, tha ai.
Për rastet e policëve që marrin paga të invaliditetit, por që vazhdojnë punën ai tha se janë nën hetime.
“148 që janë në hetime dhe marrin pagë ata janë në procedurë të hetimeve”, u shpreh ai.
Për rimbursimet e policëve në detyrë, Mustafa tha se do të takohen me ministrin e Financave për sigurimet shëndetësore të tyre.
“Në muajin e tretë do të paraqes para ministrit të Financave sigurimet shëndetësore, ku do të jenë 50 mijë euro në rast se humb jetën dhe rreth 30 mijë euro shpenzime të mjekut. Kjo është e arritur e madhe. 50 për qind paguan punëmarrësi, 50 punëdhënësi. Pra policit i bie diku 18 euro të paguaj çdo muaj”, tha ai.
Rizah Shillova, drejtor i departamentit të hetimeve është shprehur pro vettingut për policët.
“Policia është pro vettigut sidomos zyrtarët që janë për hetime. Më vjen keq që dëgjoj pyetje kur atakohen zyrtarët policorë kinse largohen për diçka tjetër. Më vjen keq që nuk mund të bëjmë publikime për largimet e tyre, por janë arsye tjera. Neve na ka munguar një njësi për integritet që duhet të jetë brenda policisë që identifikon shkaqet që ndikojnë në integritetin policor. Kemi mendu që gradat e larta duhet t’i nënshtrohen vettigut. Nuk është degradim as gradim nëse një zyrtar lëvizë nga një departament në një tjetër”, tha Shillova.
“Nëse i shohim statistikat gjatë 2018-tes, 2948 raste i kemi hetu. Kemi pasë një progres të jashtëzakonshëm me hetime të narkotikëve. Kemi ngecje në hetimin e krimit ekonomik. 138 raste të veprave penale që lidhen me hetim ekonomik”, tha ai.
Shillova ka thënë se trajnimet e policëve janë krahas standardeve evropiane.
“Gjenerata e re që është në trajnim, standardi që aplikojmë ne është standard që aplikohet edhe në shtetet e BE-së. Jemi në kuadër të standardeve me kapacitete të zhvilluara”, tha ai.
Ai ka treguar edhe për statistikat në rastet në hetim.
“2018-të rreth 830 raste kanë qenë pjesë e procedurës së hetimit. 283 lëndë që janë në proces e sipër. Janë 176 raste të ndalesës në pagë, 97 vërejtje me shkrim, 12 me gojë”, tha ai.
Ndërsa për patentë shoferët me vendet evropiane, ministri Mustafa ka thënë se janë në procedurë me Italinë dhe Zvicrën.